Luan Bajraktari me ekspozitë në Vjenë, hapë një “BÜRO X” brenda ambienteve të Ambasadës

19 Prill, 2018 - 8:57 pm

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, është hapur mbrëmë ekspozita e Luan Bajraktarit, e titulluar “BÜRO X”.

Luan Bajraktari ka treguar përvojën e tij në lidhje me këtë ekspozitë, duke iu referuar edhe ambientit ku është hapur, ku sipas tij, ka qenë një hapësirë jo lehtë e menaxhueshme. “Vetëm hapësira ku kam prezantuar ekspozitën më ka bërë që të mendoj dy muaj më herët se si të prezantohem në këtë ambient”, ka thënë Bajraktari për KultPlus, i cili ka shpjeguar më tutje se krejt sfida ka qenë se me cfarë projekti të prezantohet që të funksionojë me hapësirën.

“Kam vendosë që të prezantohem me ekspozitën “BÜRO X”, që prezantimi të jetë në harmoni me hapësirën por edhe hapësira me prezantimin, pastaj kam punuar që kjo ekspozitë të ketë një lidhje të fortë edhe me personat që punojnë aty, që të ndërlidhet me hyrjet dhe daljet brenda një institucioni”, ka thënë Bajraktari, i cili ka njoftuar se kjo ekspozitë ngërthen mediume të ndryshme.

Kurse për kuratorin e kësaj ekspozite, Lulzim Zeqiri, Bajraktari i ngre monument gjërave të vogla, dhe frymëzimin e merr nga mënyra e jetës në ambientet e vendlindjes. “Me gjasë të nisura nga kujtimet e fëmijërisë këto forma artistike janë rezultat i kërkimit të një përgjigjeje për natyrën njerëzore. I frymëzuar nga mënyra e jetës në ambientet e vendlindjes, ai i bënë monument gjërave të vogla të cilat kishin rëndësi të madhe për ekzistencën e tij” ka thënë Zeqiri. I kënaqur me këtë ekspozitë ka mbetur edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, që bëri hapjen zyrtare të saj./KultPlus.com

Të ngjajshme