“Mural Fest” në Tiranë, pikturat zbukurojnë fasadat e pallateve

31 Gusht, 2021 - 6:30 pm

Tirana është zgjuar ndryshe këto ditë. Në muret e saj mbizotërojnë ngjyrat e larmishme dhe pikturat. Në qendër të qytetit, në një prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti është duke përfunduar dhe muralja e tretë, e cila ka në qender një vajzë të vogël të mbrojtur nga dora e nënës së saj. “Mural Fest Tirana” është një aktivitet i kthyer tashmë në traditë për kryeqytetin, nga piktorët Helidon Haliti dhe Kiriakos Iosifidis.

“Projekti përfshin pallatin në qendër të Tiranes që prek qiellin, ndaj dhe emërtimi është Skyla, sepse modeli që ne po përdorim ka këtë emër. Ndërsa në datë 8 do të jetë artisti serb, i cili ka një tematikë gjithashtu një vajzë perëndimore, “five generation”, ose gjenerata e pestë, si për t’u shoqëruar me një reminishencë të Picasos, sesi ai e ka parë femrën, ndaj do doja që kjo murale të ishte në zonën e ‘Komunës së Parisit’.”, tha Haliti, shkruan vizionplus

Fasadat e pallateve më të larta, duke filluar nga qendra, por edhe në zonat me periferike janë mbuluar me vizatime që kanë në qendër figurën e gruas. Qëllimi i organizatorëve është përcjellja e mesazheve nëpërmjet këtyre veprave të artit.

“Mural Fest” vjen si një nevojë e qytetit dhe një vullnet i mirë për të lënë një ekspozitë në qiell të hapur për qytetin e Tiranës. Ky edicion i tretë është një eksperiencë e akumuluar gjatë dy të parave dhe një dëshirë për të mbledhur artistë me famë ndërkombëtare.”, u shpreh drejtori i agjencisë së dekorit, Henril Cule.

Në këtë edicion të tretë, i cili do të mbahet deri më datën 30 shtator, do të marrin pjesë artistë vendas dhe të huaj nga Indonezia, Venezuela, Spanja, Italia, Greqia etj./KultPlus.com

Të ngjajshme