9 Korrik, 2025 - 9:09 pm
NOW IS NOT NOW është një vepër që fton për reflektim mbi natyrën e kohës, kujtesës dhe perceptimit. Fillimisht e prezantuar si një veprim efemere në hapësirën e Qendrës Barabar në Prishtinë, gjatë ekspozitës “I NOW” të kuruar nga Prof. Arta Agani. Ne vepren NOW IS NOT NOW u përdor gjuha e te përkohshmës – letër ngjitëse (ne murë) me jetë të kufizuar – për të adresuar pikërisht atë çfarë është rrëshqitëse dhe e paqëndrueshme: Tani.
Me këtë gjest, Globalodromia FILOART ndërton një tension të heshtur ndërmjet çastit të tanishëm dhe perceptimit të tij – një pyetje që mbetet thellësisht filozofike dhe ekzistenciale.
Kur vepra zhvendoset në një hapësirë publike siç është Frankfurter Allee në Berlin – një rrugë me ngarkesë historike dhe vizuale – ajo përfiton një tjetër shtresë përjetimi. Tani shfaqet si një instalacion ndriçues me shkronja të kuqe – ngjyrë që tërheq vëmendjen dhe mbart tension estetik – duke krijuar një kontrast midis dritës, hapësirës dhe përmbajtjes. Por kur lexuesi-sja ndalet dhe dekodon mesazhin NOW IS NOT NOW, ndjenja e parë e qartësisë transformohet në një shqetësim të brendshëm.
Në traditën e veprës ikonike HOW LONG IS NOW (mbi murin e famshëm të Kunsthaus Tacheles në Berlin 2006-2019), NOW IS NOT NOW ndërton një dialog të heshtur por të fuqishëm. Ajo e zëvendëson pyetjen me një përgjigje që, në vend të sqarojë, e komplikon më tej natyrën e përjetimit kohor.
Nga një këndvështrim bashkëkohor, kjo vepër mund të konsiderohet si një shembull i artit publik që synon të hap një mundësi reflektimi dhe ndërveprimi me ndjenjat dhe mendimet që ngjall në kalimtarin-en e rastësishëm. Një akt poetik që shndërrohet në ndërhyrje filozofike urbane, duke sfiduar jo vetëm vështrimin, por edhe vetë ndjesinë tonë për të tashmen.
Inaugurimi i vepres NOW IS NOT NOW:
E Enjte 17.07. 2025, në orën 19:00
Bürgerhaus
Frankfurter Allee 40
10247 Berlin
Veprat në hapësira publike të grupit Globalodromia FILOART gjenden në Prishtinë dhe Prizren. “HOW LONG IS NOW” është e vendosur në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, „O“ ne Galerin Kombetare te Kosoves ndërsa “WHERE IS I” gjendet në rrugën Adem Jashari në Prizren – jane keto ndërhyrje që vazhdojnë të eksplorojnë temën e kohës dhe vetëdijes në kontekste të ndryshme urbane dhe përjetuese./ KultPlus.com