Sibel Halimi për performancën e Astrit Ismailit: Shpërfaq njeriun e sotëm të kufizuar brenda një hapësire të kontrolluar

23 Korrik, 2022 - 2:34 pm

Nga Sibel Halimi

Performanca e trupave të lidhur me spango nga disa epiqendra makinerie, shpërfaq njeriun e sotëm të kufizuar brenda një hapësire të kontrolluar. Pavarësisht, të jetuarit në një ambient të tillë disiplinues, njeriu i kthyer në ‘trup’ percepton të vërtetën dhe realitetin mbi veten, nëpërmjet qendërzimit të trupit. Ndonëse, i anashkaluar për nga rëndësia, siç shkruan Silvia Federici, trupat mbeten tekste në të cilat regjimet e pushtetit i kanë shkruar recetat e tyre. Por, natyrshëm duke qenë si pikëtakim i botës njerëzore me atë jonjerëzore, Federici shkruan se trupi është mjeti ynë më i fuqishëm i shprehjes së vetes, por edhe lehtësisht i abuzueshëm.

Trupat që ndërveprojnë me tingujt duke tërhequr fijet me trupat e tyre dhe duke përdorur zërat e tyre, janë përpjekje për të ndërtuar aftësinë tonë, siç shkruan edhe Gilles Deluze aftësia jonë për t’i rezistuar kontrollit ose nënshtrimi ynë ndaj tij, duhet të vlerësohet në nivel të çdo lëvizje tonë”.

Historikisht, trupi ishte i tejdukshëm nga studimet humane, përkundër dëshmive të mjaftueshme se si trupat përjetojnë shtypjen e dhunën. Mirëpo, pavarësisht, kësaj gjendjeje, nëpërmjet trupit, realiteti shoqëror mund të kundrohet edhe nga rebelimi, me anë të së cilës arrihet lirica personale, e rrjedhimisht edhe ndryshimi shoqëror.

Prandaj, performanca LYNX nga Astrit Ismaili e prezantuar mbrëmë jep shpresën që përkundër kontrollit, njeriu i sotëm është i vetëdijshëm për këtë gjendje shoqërore. Ripërsëritja e vazhdueshme e njërit prej trupave artistike “Pse duhet bërë kompromise?” a nuk është një shtegë i ri drejt vetëdijes mbi lirinë e vetes, njeriut? Fundja, nëse kompromisi është një ‘pajtim me lëshime’, atëherë një pyetje e tillë përfundimisht çliron njeriun!/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme