‘Solitude vs Fantasy’ e Xhelsina Petritaj, piktorja: Veprat, shenjë revolte ndaj realitetit

15 Gusht, 2025 - 3:00 pm

Ekspozita “Solitude vs Fantasy” e artistes Xhelsina Petritaj, e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, sjell rreth 20 vepra që përballin vetminë dhe fantazinë, si reflektim mbi plagët e kohës dhe realitetin shoqëror. Përmes ngjyrave dhe formave, artistja shpreh revoltë ndaj luftërave dhe konflikteve, duke e kthyer artin në një dëshmi personale dhe universale.

“Solitude vs Fantasy”, është titulli i ekspozitës së artistes Xhelsina Petritaj, e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Me rreth 20 vepra, mes tyre dhe disa nudo sensuale, artistja kërkon të përballë dy botë të saj, vetminë dhe fantazinë, duke i kthyer në formë arti si revoltë ndaj realitetit të sotëm.

Ekspozita është një rrëfim vizual ku shpalosen përjetime të brendshme, emocione të forta dhe mesazhe sociale, të cilat Xhelsina i ngjiz në kanavacë me ngjyra, linja dhe simbolikë të thellë. Për autoren, arti nuk është vetëm estetikë, por një mënyrë për të reflektuar mbi kohën dhe plagët e saj.

Petritaj shprehet se në veprat e saj, sidomos ato në akrilik, nuk preferon të përdorë sfond, duke lënë hapësirë që protagonizmi i figurës të marrë frymë. Një vend të veçantë zë dhe posteri i ekspozitës, i zgjedhur për arsye të thella artistike.

Ndjeshmëria e saj artistike e bën të mos mbetet indiferente ndaj dramave të mëdha njerëzore. Në ekspozitë gjen vepra të frymëzuara nga plagët e luftërave dhe konflikteve në botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, duke ftuar vizitorët të zbulojnë dialogun e ndjerë mes vetmisë dhe fantazisë në sytë e një artisteje që refuzon të heshtë përballë plagëve të kohës./syritv/KultPlus.com

Të ngjajshme