11 Qershor, 2025 - 12:30 pm
Sonte do të hapet ekspozita personale e artistit Blerim Racaj, e titulluar “To feel your mood like the weather “, kuruar nga Bardhi Haliti në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa.
Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racajt është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë, dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht.
Një pjesë e madhe e ekspozitës buron nga pesë projektet kyçe: Kosovars (Kosovarët), Indecisive Moment (Moment Pavendosshmërie), Ephemeral Notes (Shënime Kalimtare), Vend, dhe Rruga B. Racaj ka punuar me gjithçka prej kamerave të formatit të gjerë dhe të mesëm deri te DSLR-të, kamerat kompakte digjitale, dhe së fundmi, kamerën e telefonit. Shumë prej këtyre imazheve të ndërmjetme janë bërë me telefonin e tij, shpesh në transit, në çaste të pangarkuara nga përgatitja.
Në një mënyrë mjetet e tij të punës pasqyrojnë kufizimet e jetës moderne. Sot, ne formohemi po aq nga impulsi artistik sa nga limitet e bagazhit të aviokompanive. Kur nuk mund të udhëtosh me arsenalin e plotë të pajisjeve pa paguar shtesë, kamera e telefonit bëhet jo vetëm e domosdoshme, por edhe instrument i intuitës.
Ajo që bashkon tërë veprën e Racajt është një ndjeshmëri skulpturore, që kujton artistët si Thomas Demand dhe Jeff Wall. Por për dallim nga Demand që ndërton modele të përpikta për t’i fotografuar, apo Wall që inskenon peizazhe mitike dhe kinematografike, Racaj punon me vetitë e reales, duke i abstraktuar ato aq sa për t’i hapur ndaj interpretimit. Ngjyrat dhe format nuk janë asnjëherë vetëm formale, ato janë simbolike, të ngarkuara emocionalisht dhe përplot fantazma.
Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadrimi bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.
Biografi
Blerim Racaj është artist pamor kosovaro-britanez i cili jeton në Londër dhe punon kryesisht me fotografi. Veprimtaria e tij përdor gjuhën pamore dokumentare për të eksploruar temat e hibriditetit kulturor dhe identitetit diasporik, duke zhvilluar gjithashtu një dialog vizual me elementet efemerale nga mjedisi i tij i përditshëm.
Puna e tij është shfaqur anembanë Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Spanjën, Kroacinë dhe Kosovën. Në mesin e ekspozitave të veçuara të tij janë Global Photography: Looking at/ Looking for, Galleria Contemporaneo, Mestre, Venedik (2010); Photodays Photo Festival, Rovinj (2013); Renaissance Photography Prize 2014, Getty Gallery, Londër (2014); Reflect the Truth, China Design Centre, Londër (2016), Nexos, Valencia (2017), dhe Nisesos Chronicles, Prishtinë (2023).
Në vitin 2014, u nderua me Çmimin Fotografik Taylor Wessing nga Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër. Racaj ka diplomë Master në Studimet e Fotografisë nga Universiteti i Westminster në Londër.
Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues me bazë në Amsterdam. Ai ka punuar si dizajner i pavarur në Nju Jork dhe Prishtinë përpara se të merrte diplomën master nga Werkplaats Typografie, Arnhem në vitin 2014. Haliti ishte dizajner në rezidencë në Jan van Eyck Academie, Maastricht nga 2015–16.
Ai është kritik i jashtëm në Programin Master në Dizajn Grafik në Akademinë e Arteve të Estonisë dhe ishte profesor i përkohshëm në HfG Karlsruhe në 2024. Haliti ishte ligjërues në programin e përkohshëm master The Commonors’ Society në Sandberg Instituut (2018–2020) në Amsterdam. Ai ka mbajtur ligjërata dhe seminare në institucione të ndryshme duke përfshirë Gerrit Rietveld Academie, Amsterdam; HfK Bremen; École Nationale Supérieure des Beaux-Arts de Lyon, Kunsthalle Wien, dhe Rhode Island School of Design ndër të tjera. Në vitin 2011, Haliti bashkëthemeloi REDO, një festival vjetor ndërkombëtar i dizajnit grafik dhe arteve pamore në Prishtinë, dhe që atëherë ka shërbyer si drejtor programit. Në vitin 2019, libri i Halitit May 25 is now October 1 u botua nga cPress, Cyrih. Libri është rezultat i një kërkimi shtatëvjeçar që merret me natyrën multifunksionale të hapësirave publike në të cilat pasqyrohen cikle më të mëdha socio-politike dhe kulturore.
-Teksti nga Bardhi Haliti./ KultPlus.com