Teuta Sahatqija: Përmes pikturës arrita ta rinjoh vetveten

31 Dhjetor, 2018 - 4:45 pm

Gili Hoxhaj

Teuta Sahatqija njihet shumë për aktivitetin e saj politik, por shumë pak për pasionin e saj për pikturën. Teuta Sahatqija për më shumë se dy vite shërben si Ambasadore e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York. Kur ishte nisur për këtë mision, asnjë prej pikturave në shtëpinë e saj, nuk përmbante vulën e emrit të saj.

Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Ani pse Sahatqija është rritur duke e parë autoportretin e babait të saj në mur dhe ky talent i trashëguar nuk është se i kishte kaluar krejt pa vërejtur, ajo e kishte fundosur shumë larg listës së prioriteteve të saj. Po të kthehej në kohë, as ajo nuk do të mund të paramendonte se emri i saj do të zinte vend në ndonjë prej pikturave në banesën e saj.

Tani,  në banesën e saj në Prishtinë, ajo numëron më shumë se dhjetë piktura të punuara, ndërsa dyfishin e tyre e ka lënë në New York.Tavolina kryesore në dhomën e saj atje, është ajo e pikturimit, kjo bën që shpesh ngrënien e ushqimit ta zhvendosë në një qosh të kuzhinës.

Sahatqija pasi është kthyer për festat e fundvitit në Kosovë, menjëherë të nesërmen është nisur për në dyqan të pajisjeve për pikturim, prej nga ka dalë me disa pëlhura dhe ngjyra të akrilit, të cilat tashmë i ka zotëruar për të përkthyer motivin e saj në pikturë.

Ajo deri tani numëron një numër të mjaftueshëm të punimeve që mund ta përthekojnë një ekspozitë,  madje ata që veçse i kanë parë punimet e saj edhe ia kanë kërkuar një të tillë. E lumtur që arti i ngulitur në zemrën e saj, tashmë ka gjetur rrugën e vet të depërtimit përmes pikturës, Teuta Sahatqija thotë se nuk do të ndalet e në mendje ruan dhe shumë motive të cilat presin të zbarkojnë në pikturë.

Në dhomën e saj të pritjes në Prishtinë, binte në sy një pikturë që rrezatonte ndriçim. Këtë pikturë Sahatqija e kishte punuar para tri ditësh, si dhuratë dhe dedikim për bijën e saj (Hana Sahatqija), të cilën e konsideron si një burim të pashtershëm të energjisë, dhe në qiellin e saj nuk ka asnjë re e cila mund ta pengojë rrezatimin e kësaj energjie. Pak më larg  sytë t’i rrëmbente koloriti i kufizuar në lule, pamjen e të cilave Teuta Sahatqija e kishte marr në parkun botanik të Bronx-it, ndërsa u kishte dhënë formë në Kosovë.


Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Në një intervistë për KultPlus, Sahatqija tregon për rrugëtimin e saj me pikturën, pasioni për të cilën daton qysh herët, por krijimtaria e të cilit ka nisur së fundmi. Ajo tregoi se si fëmijë gjithnjë ishte shquar për vizatim dhe pikturë, por jo vetëm, çdo punim i saj në fushën e artit kishte përfunduar mes lëvdatave. Përkundër kësaj, piktura dhe arti nuk kishin qenë as në listën e ngushtë të përzgjedhjes së saj për studime, ku ajo kishte qenë e përcaktuar mes fizikës dhe elektromagnetikes. Pasi obligimet shtoheshin e situata në Kosovë përkeqësohej, piktura në sytë e Sahatqiut ishte gjithnjë e më larg, si një luks gati se i paimagjinueshëm.

“Në shkollë jam shquar për pikturë dhe çdo gjë që ka pasur me art, punimet me maketë, punimet artistike. Babai ka pikturuar bukur edhe pse nuk ka qenë me profesion piktor, e ka një autoportret në shtëpinë tonë dhe ndoshta janë edhe gjenet dhe mbjellja e asaj dëshirës për pikturë. Më vonë kur u punësova, u martova dhe linda fëmijë, ishin gjërat e tjera prioritet, pra nuk ishin gjërat që më pëlqejnë mua. Ishte një kohë e vështirë, e rritjes së fëmijëve, atëherë kur Kosova po kalonte në periudha të vështira dhe piktura për mua ishte një luks i paimagjinueshëm”, shpjegon Sahatqija për KultPlus.

New Yorku, aty ku lindi piktura e parë e Sahatqiut

Për dallim nga e kaluara, ajo thotë se gjatë qëndrimit në New York, ka pasur një kohë krejtësisht tjetër që i ka dhënë asaj mundësinëpër të dëgjuar më shumë zërin e brendshëm të saj, gjë që ka rezultuar në gjetjene vetvetes. Qëndrimi larg familjes, përkundër ditës së ngarkuar, Sahatiqiut i kishte lenë shumë zbrazëti mbrëmjeve dhe fundjavave.

“Dita ime ndonëse ishte shumë e ngarkuar me punë, në misionin e Kosovës dhe aktivitetet e panumërta që i bëjmë atje, përsëri e shtuna dhe e diela ishin tepër të gjata. Ishte kohë kur arrita ta rinjohë vetveten, në atë kohë nisa të pikturoj. Kjo më krijonte një kënaqësi shumë të madhe, një plotësim të vetvetes dhe ishte një kohë kur kjo dëshirë personale që dikur ishte fundosur shumë thellë diku, nisi dalëngadalë të zë vendin e vet në listën e prioriteteve të rëndësishme të jetës time”, tregon ajo.

Dy barka pranë lumit e kishin rrëmbyer në dëshirën e saj për t’u dhënë një vend atyre në një letër të rëndomtë me ngjyra tempero. Aspak e sigurte në kualitetin e saj, Sahatqija kishte marrë guximin për t’ua treguar kolegëve. Reagimi i tyre kishte qenë goxha mosbesues në fillim, por mjaft inkurajues në vazhdimësi.

“I pikturova dy barka në ujë, me male dhe si me ‘marre’ ua tregova diplomatëve tanë në mision, bile ishte si qesharake kur i shikuan dhe më thanë “ambasadore, hajde tash sinqerisht tregona se kush e ka bërë këtë. E kisha shumë të vështirë që t’i bind, e shikonin dhe më thonin “shumë bukur, shumë bukur po tash tregona të vërteten. “Diplomatët nga New Yorku mundohen të më ndihmojnë sa më shumë, qoftë kur shohin ndonjë ngjyrë apo pamje. Të them të drejtën unë nuk kisha guxim t’i publikoja. Një ditë ambasadorja Çitaku, një mike shumë e mirë e imja e shoh që i ka postuar pikturat e mija në Facebook dhe kishin marr mjaft shumë komente pozitive, më pas fillova dhe unë postimin e tyre”, tregon mes buzëqeshjes ambasadorja.

Piktura e parë e Teuta Sahatqiut

“Balerina e kuqe” dhe “Lulja e verdhë me sfondin e kaltërt”, ishin pikturat që u rreshtuan pas pikturës së parë të Sahatqiut. Duke e parë që me ngjyrat temper nuk po arrinte t’u jepte formën dhe dimensionet objekteve që pikturonte, me sygjerimin e njërës nga koleget, fillon e blen piktura të gatshme, në të cilat ushtrohet të pikturoj në kanvas me ngjyra akrili dhe të vajit.

“Pasi i përfundova ato piktura e kuptova që më s’kam nevojë për asistencë dhe që tani isha mësuar ta përdorë pëlhurën dhe ngjyrat akril dhe ato të vajit. Atëherë vendosa që këtë pasion që  arriti të shpërthejë menjëherë, ta vazhdojë me ngjyra akrili. Fillova të blejë ngjyra, brusha, thikat e paletës dhe kështu ndodhte që brenda ditës ta përfundoja nga një pikturë, sidomos të premteve, po ashtu të shtunat dhe të dielat ishin ditë shumë produktive, ku gjatë vikendit i kisha deri në tri piktura të reja”, pohon tutje ajo. Kur asaj i drejtohen me epitetin “artiste”, ajo mendon se është shumë fjalë e madhe për të.

“Shpesh miqtë më thonë ti je një artiste, u them “jo,jo artiste është një fjalë shumë e madhe”,  nuk mund t’i them vetës artiste, por jam një njeri që kam dëshirë të pikturojë, që e dua artin por artiste është fjalë shumë e madhe”, tregon ajo.

Teuta Sahatqija Foto: Gili Hoxhaj/ KultPlus.com

Gjallëria e ngjyrave të natyrës e lidhja e fortë me Prizrenin

Teuta shpesh niset me një koncept të pikturës por i cili nuk e përcakton versionin e fundit të saj, madje një natë kishte larë për pesë herë brushat e duart, dhe për pesë herë ishte kthyer tek e njëjta pikturë duke e transformuar deri në versionin final, kur ajo e kishte ndjerë të kompletuar. Ky transformim nëse shikohej që nga piktura e parë dukej sikur një ecje në stinë. Deri atëherë në pikturat e saj kishte zënë vend të theksuar natyra me ujin, lulet, gjethet por jo dhe mali. Një natë kishte vendosur që t’i japë ngjyrë malit në një nga pikturat e saj. E kënaqur me pikturën,  kishte larë duart, brushat, e më pas ishte kthyer përsëri tek piktura. Mali i rrethuar me tokën e qiellin, i ishte dukur i zbrazët.  Kjo kishte bërë që Sahatqija t’i zhyt përsëri brushat në ngjyra dhe t’ia shtoj pikturës dhe një lis. Ishte ndarë e kënaqur nga kjo ndërhyrje dhe përsëri kishte larë duart e brushat. Kur ishte kthyer përsëri për ta parë pikturën, i ishte dukur që akoma diçka po mungon, më pas degëve ia kishte shtuar gjethet e gjelbërta. Pasi larja e duarve e brushave, i kishte sjellë një pushim, ajo ishte kthyer edhe për dy herë për t’i shtuar ndriçimin dhe për t’i dhënë lisit e degëve  ngjyrat e vjeshtës. Kështu nëse shikohej veç versioni i fundit i kësaj pikture, fokusi i saj tek mali mbetej i padallueshëm. Për këtë arsye, Sahatqija i kishte dhënë një vend të veçantë në pikturat e tjera.

“Mali im i kaltër”

Kur një ditë kishte vendosur ta pikturonte një mal, kishte derdhur ngjyrën e verdhë, ngjyrën e gjelbër dhe të portokalltën. Asnjërën se kishte përdorur. Donte të përfitonte nga mundësia që i dhuronte arti, që mali i saj të mos i ngjante asnjë mali të botës, andaj kishte pikturuar një mal me ngjyrë të kaltër.

E lindur në Prizren thotë se e ruan fort dashurinë për këtë vend,  e rritur shumë afër “Lidhjes së Prizrenit”, ajo ka një lidhje të veçantë edhe me lumin. Në njerën nga pikturat që kishte ngrirë një pamje shumë pranë shtëpise, ku kishte vizatuar urën e gurit dhe pranë kishte vendosur edhe dy llampa ndriçuese, në përpunim tek qielli e malet e Koritnikut, ato ia kishin fshehur perëndimin, kështu që kishte vendosur t’i sakrifikojë për hir të pamjes së këtij perëndimi.

“Kështu doli ura e Prizrenit. Një artiste më tha “Sa bukur e paske bërë këtë harkun, mos më thuaj që nuk ke pikturuar më herët se po e shoh harkun”, dhe i thash “unë jam inxhiniere, këto forma për mua nuk janë problem””, tregon mes të qeshurave Sahatqija. Edhe kur lumi e mali është krejt produkt i imagjinatës së saj, ajo gjithnjë ka një lidhje me Prizrenin e kujtimet e saj të fëmijërisë.

“Kudo që është lumi dhe mali, e shoh Prizrenin, i shoh malet e Sharrit, kujtimet e fëmijërisë”, thotë Sahatqija.

Një seri me pamje nga New Yorku dhe një me pamje nga Prizreni

Teuta Sahatqija gjatë kohës sa po qëndron në New York, atje ku edhe ka gjetur brenda vetës këtë art të shpirtit, thotë se planifikon ta krijojë një seri me ndërtesat e ndryshme të New Yorkut. Ndryshe nga pikturat në natyrë, ndjek një praktikë tjetër kur pikturon ndërtesat, kjo pasi që do t’i qëndrojë besnike parametrave të tyre. I ishte dashur një muaj,  për të përmbledhur guximin për të pikturuar ndërtesat pranë ballkonit të saj, të cilat i kishte vizatuar paraprakisht.

“Si njohëse e mirë e gjeometrisë nuk ishte problem t’i bëjë gjithë dimensionet me laps në pëlhurë, por kur erdhi tek përkthimi me ngjyra, aty nuk e kisha guximin, sepse ishin aq shumë detaje, aq shumë dritare dhe më ka mbetur e vizatuar me laps për më shumë se një muaj. Çdo ditë e shikoja por nuk kisha guxim ta ngjyrosja. Më pas i bëra edhe dy skica në letër, edhe ato me dimensione të sakta ashtu siç janë. Një ditë i erdhi koha, i mora ngjyrat, i mora brushat dhe i pikturova”, shpjegon Teuta Sahatqija për gazetën KultPlus.

Profesioni i saj prej inxhiniere, kishte bërë që të paraqiste me saktësi ndërtesat, ashtu siç i shihte, por më pas i kishte rikujtuar vetës se piktura nuk e kërkonte medoemos këtë.

“Kjo është art dhe nuk do duhej të duken të gjitha njësojë”, nëse dua të duken të gjitha njësojë atëherë e bëj një fotografi”, shprehet ajo.  Pamjen nga ballkoni i saj në New York, ajo e kishte sjell në dy versione, një në mesditë dhe tjetrin në perëndim të dielli.

‘Tash më ka mbetur ta pikturojë edhe natën pasi që New Yorku edhe natën është një eksperiencë e jashtëzakonshme me gjithë ato ndërtesa dhe ai koloriti i dritave”, thotë Teuta. Ajo për KultPlus shpjegon se planifikon t’i vendos në pikturë edhe shumë pamje të tjera të New Yorkut, për të krijuar një seri të pikturave nga ky vend, por krahas kësaj synon të krijojë dhe një seri të pikturave nga Prizreni.

“Në plan e kam edhe një seri prej Pirzrenit. Të dy vendet me ujë, me ura vetëm se New Yorku nuk i ka malet e Prizrenit”, thotë Teuta.

Piktura si rinjohje e vetes e burim i pakufishëm i kënaqësisë

Piktura e saj tenton të shpjegojë se energjia e shpirtit është ajo që e triumfon çdo trup. Kështu në pikturën e saj përpiqet ta paraqes këtë shpërthim ngjyrash. Duke qenë se një pjesë e madhe e jetës së saj i është dedikuar politikës, ajo thotë se atë e sheh si pjesë të ndarë nga pikturat e saj.

“Është një kohë tjetër, ku në asnjërin prej motiveve të mija nuk shihet diçka prej politikës, në fakt shihet ai admirim dhe dashuria ime për natyrën, për lëvizjen, për lojën me ngjyra dhe forma. Nuk mendoj që ka dicka nga jeta ime e mëhershme politike”, tregoi Sahatqija për KultPlus.

Pikturat e saj flasin për një kohë tjetër dhe duke qenë të tilla kanë nxjerrë një Teutë tjetër. Në disa fjalë ajo e përshkruan pikturën si një kapitull të ri në jetën e saj në rrjedhën e të cilin ajo e ka zbuluar brendinë e saj.

“Piktura për mua ka qenë një rigjetje e vetvetes, një shikim brenda të cilin për një kohë shumë të gjatë nuk e kam pasur. Ka qenë një rinjohje me një Teutë tjetër. Piktura për mua është burim i pakufishëm i kënaqësisë, i një shprehjeje përmes ngjyrave i asaj botës së brendshme dhe shpërndarjes se energjisë pozitive përmes ngjyrave dhe komunikim me njerëzit përmes ngjyrave. Janë aq shumë dimensione të cilat krejt së bashku e përbëjnë kënaqësinë e pikturës për mua”, tha krejt në fund Teuta Sahatqija./ KultPlus.com

Të ngjajshme