‘Tokë e trajtuar me dashuri’, artistja Blerta Syla Surroi sjell rrëfimin e saj shpirtëror përmes baltës në ekspozitën e dytë personale

13 Qershor, 2025 - 9:53 pm

Vjollca Duraku
Foto e ballinës: Driton Paçarada

Mbrëmë, në ‘Vilën 1925’, është hapur ekspozita e dytë personale e qeramikës nga artistja Blerta Syla Surroi — “Tokë e trajtuar me dashuri”, shkruan KultPlus. Balta është kryefjala në këtë ekspozitë që vjen si rrëfim shpirtëror i artistes, e cila përmes një procesi të ngadaltë të punës, sikurse përmes një rituali të shenjtë ka krijuar vepra që shpërfaqin një marrdhënie të lashtë mes njeriut dhe tokës.

Artistja Syla Surroi ekspozitën e ka hapur në Ditën e Çlirimit me një fotografi portret të realizuar më 12 Qershor 1999, në ditëlindjen e 21-të, ku gëzimi në fytyrën e saj është i papërshkrueshëm. Viti i saj i lindjes ‘78 koincidon me 78 ditët e bombardimeve të NATO-s në Ish-Jugosllavi. Ndërkaq, lumturia e artistes vjen si reflektim për punën dhe pasionin që do të mundtte t’i realizonte gjatë viteve pasuese në liri. “Lufta më ka mësuar t’a gëzoj jetën. Balta më ka mësuar t’a gjej të bukurën në papërsosshmëri”, ka thënë artistja Syla Surroi.

Punimet e ekspozitës që përfshijnë forma të thjeshta të natyrës, forma peshku, figura njerëzore mitologjike dhe mozaikë antik paraqesin raportin fizik dhe shpirtëror që artistja ka me materialin e baltës dhe me natyrën në përgjithësi.

“Balta është më shumë se material, është rrëfim. Me baltën kam një raport fizik dhe shpirtëror. Për të punuar me baltë duhet të kesh durim, vëmendje dhe përkushtim. Ajo e do kohen e vet. Me baltën kemi një raport reciprok, derisa e formoj atë ajo më formon mua, artistikisht. Gdhendja në baltë më sfidon të jem e duruar, të dëgjoj materialin, të kuptoj kufijtë e tij dhe njëkohësisht t’i shtyj kufijtë e mi imagjinar. Procesi i punës është i ngadaltë, ka ditë kur më duket si ritual i shenjtë. Edhe kur jam e lodhur e më dhëmbin duart nga gdhendja në baltë dhe presioni, ndiej se kam bërë diçka që më përket, që ka lënë gjurmë te unë po aq sa unë te balta”, ka thënë ajo.

“Tokë e trajtuar me dashuri” është ekspozita e dytë personale e qeramikës nga autorja Syla Surroi, dhe përmban krijime të viteve të fundit. Të parën e ka pasur në 2012, në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Më frymëzon jeta me format e saj më të thjeshta, peshku, figura njerëzore mitologjike, mozaikët antik e që të gjitha këto pastaj unë i sjell në mënyrën time ashtu siç i ndiej. Duke i lidhur copëzat bashkë krijoj një tërësi, një tregim, një atmosferë festive që jep ndjesi gëzimi, bashkimi për t’a gëzuar jetën me bukurinë e thjeshtë të përditshme”, ka thënë artistja.

Kompozimi i portreteve me një lloj-llojshmëri ngjyrash kanë qenë risia e kësaj ekspozite, e cila gjë e kishte ngacmuar shijen e artistes Shqipe Kamberi. Artistja Kamberi tha se këto punime e kanë përsosur edhe më tej punën e artistes.

“Sot në ekspozitë pamë një Blertë ashtu siç është ekspozita plotë sinqeritet, ku të përfshira janë përjetimet e saj ditore, preokupimet e saj të paraqitura në formë të pjatave, peshqëve dhe portreteve që ishin risi për mua, të kompozuara shumë bukur, me një kolorit shumë të hareshëm, të jashtëzakonshëm. E shoh një inspirim të saj që i vjen nga natyra deti, dhe familja. Së paku unë mendoj ashtu. Blertën e përgëzoj shumë, sidomos për faktin që e ka bërë një hap më shumë prej asaj që kemi parë më herët nga ajo, duke kaluar edhe në portrete të cilat i ka konceptuar shumë bukur. Kur i sheh ato portrete e sheh edhe personalitetin e Blertës ”, ka thënë artistja Kamberi.

Në hapje të ekspozitës “Tokë e trajtuar me dashuri” morën pjesë personalitete të shumta, të cilët përmes gotave me verë patën mundësi të shijojnë dhe të ndiejnë thellë artin e punuar me shumë dashuri nga artistja Blerta Syla Surroi./ KultPlus.com

Të ngjajshme