U hap ekspozita “Gjenocidi XX”, Bogujevci: Këto fotografi dhe tregime duhet t’ia përplasim në fytyrë Serbisë

11 Dhjetor, 2019 - 9:43 am

Me gjithë mohimin e Serbisë për masakrën e Reçakut, janë faktet ato që dëshmojnë gjithçka. Disa nga këto fakte mbrëmë ishin vendosur në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës si një replikë ndaj Serbisë, shkruan KultPlus.

Ishte kjo ekspozita me fotografi e autorit Enver Hoxhën që mbrëmë komunikoi me publikun e pranishëm ku tek secili mund të vëreje çfarë po përjetonin deri sa po i shihnin ato fotografi që i quanin të tmerrshme.

Kjo ekspozitë simbolizon atë se çfarë gjenocidi u krye tek populli shqiptar nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, pikërisht gjatë shekullit XX.

 “Gjenocidi XX: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, kështu po e quan autori Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi.

 Enver Hoxha gjatë luftës ishte pjesë e stafit mjekësor në zonën operative të Llapit. Ai punoi në spitalin ushtarak, por ishte edhe në terren me ushtarët e UҪK-së dhe popullatën civile. Edhe pse ai kishte një detyrë dhe mision tjetër, Enveri gjithë kohës ka mbajtur me vete foto-aparatin e tij, me të cilin ka shkrepur fotografi në çdo moment dhe falë tij, po e kujtojmë atë se me çka u përball populli kosovar.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci në fjalimin hyrës të kësaj ngjarje tha se me kënaqësi është përkrahur kjo ekspozitë nga muzeu. E sipas tij këto pamje  tregojnë sakrificën dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Objekt i kësaj ekspozite janë rreth 100 fotografi të cilat përfshijnë vetëm pjesën e popullatës civile, ku paraqiten shpërnguljet, vrasjet, masakrat e kryera nga forcat serbe në muajt mars dhe maj të vitit 1999.

Profesori, Ismet Salihu tha se këto fotografi tregojnë krimet e pushtetit serb ndaj popullatës të pafajshme shqiptare. “Në këtë ekspozitë jemi tubuar për të rikujtuar tmerrin dhe gjenocidin e pushtetit serb ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës në vitet ’98- 99”, tha ai.

 Qemail Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se kjo ekspozitë pasqyron një luftë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore.

“Ndihem i shokuar tek shikoj këtë ekspozitë makabre, që nuk e kap asnjë ndërgjegje njerëzore, se si në mesin e shek XX mund të ketë ndodhur një katrahurë e madhe antihumane, jashtë çdo rregulli ndërkombëtar”, shprehet ai.

Ambasadori gjithashtu tha se “sot nuk është koha për hakmarrje, po për të reflektuar që gjëra të tilla të mos ndodhin më, në mënyrë që të jetojmë si dy popuj kufitarë, si njerëz që duhet të  marrin vesh njëri- tjetrin.”

Se në Kosovë është kryer gjenocid dhe janë kryer masakra të shumta, e dëshmon edhe masakra e Reçakut, e cila u përkujtua dje. Për të folur për këtë fakt, e pranishme ishte edhe e mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci.

“Puna e Enver Hoxhës është e jashtëzakonshme, e para se ka qenë afër njerëzve në momentet më të vështira në këtë periudhë kohore dhe tjetra për vetë faktin që ka arritur ta dokumentojë këtë rrugëtim. Të gjithë e dini për mohimin që i është bërë Reçakut, në fakt është mirë që kjo ekspozitë u hap në këtë kohë kaq të rëndësishme, duhet t’i mbledhim këto fotografi dhe tregime, e t’ia përplasim në fytyrë Serbisë”, tha ajo.

Komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa tha se Kosova për njëzet vite nuk ka mundur të dokumentojë ato që kanë ndodhur atë kohë e të cilat i di secili prej nesh, e këtë ka arritur ta bëjë Hoxha me fotografitë që janë dokument i asaj periudhe.

Vetë autori i ekspozitës pa dashur të flas shumë tha: Nuk ka nevojë për fjalë, sepse fotografitë flasin dhe dokumentojnë atë që Serbia po mundohet ta mohojë, e të tilla mohime thotë se po i shërbejnë armiqësisë ndaj Kosovës.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor duke ju ofruar mundësin që të shihni fakte që flasin në mënyrën më të mirë për ndodhitë e vitit 1999. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme