Duart në skulpturat e Artan Hasanit, si përçues të mesazheve e “password” për universin

4 Prill, 2019 - 9:54 pm

Hijet në mur tregonin për një stil të veçantë të skulpturave. Duart në forma të ndryshme, herë përballë e duke u zgjatur me njëra tjetrën, e herë në drejtime të kundërta janë subjekti kryesor mbi të cilin ka krijuar skulpturat e tij artisti Artan Hasani. Krejt këto pamje janë shoqëruar me muzikën e lehtë në sfond, në ekspozitën që u hap sonte në Galerinë e Ministrisë “Qafa” në Prishtinë.

“Password” është titulluar ekspozita e artistit Hasani që ka përmbledhur një cikël duarsh të veçanta dhe unike të cilat në vetvete përmbajnë njerëzoren e u cilësuan si duar që do të ishin të nevojshme për të gjithë popujt e botës. Shtrirja e tyre simbolizohet si një “password” për universin.

13 punime sa janë ekspozuar gjithsej në ambientin e Galerisë përfshijnë punën 2 vjeçare të artistit kosovar Artan Hasani. Sipas autorit të kësaj ekspozite,  koncepti i këtyre veprave është se dora paraqet pjesën më të ndërlikuar të  njeriut dhe se shpesh herë ajo përçon më së miri mesazhet dhe idetë tekë të tjerët.

“Ngjyrat e përdorura në këtë ekspozitë janë monokrom, do të thotë  me të bardhen dhe të zezën. Materialet të cilat janë aplikuar apo janë përdorur në këto punime janë të pazakonta, është një lloj shkume dhe një lloj plastike të cilat nuk janë përdorur më herët”, tregoi Hasani për KultPlus.

Femi Hoxha nga Ministria e Kulturës tha se është kënaqësi  që sot është pjesëmarrës në këtë ekspozitë, ndërsa artistin e cilësoi si një artist të ri por mjaft i suksesshëm, i  guximshëm dhe  shumë kreativ. Ai uroj që kjo galeri në vazhdimësi të këtë ekspozita si kjo sepse përmes artit dhe kulturës paraqiten vlerat  e vendit pranë botës.

 “MKRS-ja  edhe këtë vit është risi sepse duke marr parasysh ekspozitat dhe punën e madhe që ka bërë kjo galeri, ne këtë vit kemi rritur buxhetin  për këtë Ministri pothuajse 100 për qind për këtë galeri dhe gjitha institucionet e kulturës. Në fakt ne konsiderojmë që përmes artit dhe kulturës ne mund të njoftohemi me botën dhe njëkohësisht mund ti paraqesim vlerat tona kulturore në botë” tha Femi Hoxha.

Kuratori i kësaj ekspozite, Naser Shatrolli tha se është moment i veçantë dhe emocional  paraqitja e këtyre veprave të cilat kanë një vlerë unike. Sipas tij kjo ekspozitë dhe këto vepra janë një oazë artistike.

“Artan Asllani që vjen nga Podujeva është vërtet skulptor, artist i brezit të ri, por me një pjekuri të fuqishme artistike. Këtë ekspozitë do ta quaja oazë artistike këtu në Prishtinë sepse në secilën prej këtyre duarve do ta gjesh dorën e tij, atë uniken që ky artist e ka brenda vetës”, tha Shatrolli.

Artan Hasani është skulptor modern, i cili shquhet para publikut vendor si njëri nga emrat më përfaqësues, në artin skulptural. Eposi i tij artistik ndërthuret me frymën e artit monumental, konkretisht, me formate të kësaj natyre, qofshin ato miniaturiale në skulpturë, pikturë, skenografi apo formate të ngjashme. Artan Hasani ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë, në klasën e profesorit Ismet Jonuzit, në vitin 2007

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për publikun dy javë, në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës “Qafa”./ G.Mujaj/ KultPlus.com

Të ngjajshme