Vendoset para TKK-se instalacioni ‘Kosova on Apple, fight fake news’, përkrahen Rita e Dua

24 Korrik, 2020 - 4:07 pm

Tash e një kohë në rrjetet sociale ka filluar kërkesa për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple. Kjo kërkesë e cila është realizuar me anë të peticionit online ka marrë përkrahje edhe nga këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, duke bërë kështu bujë të madhe në mediat botërore, e sidomos në ato serbe, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është vendosur instalacioni artistik i quajtur “Kosova on Apple, fight fake news”, instalacion ky i realizuar nga komuniteti artistik vendor ku përfaqësues ishin Fahrush Azemi dhe Mentor Mripa.

Fahrush Azemi potencoi se pas reagimit të këngëtareve shqiptare me famë botërore me mesazhe që tronditën botën dhe armiqtë tonë, ai së bashku me artistët e tjerë të komunitetit artistik vendosën që të tregojnë përkrahjen e tyre nëpërmjet instalacioeve të vendosura në sheshin e Prishtinës.

“Së bashku me kolegun tim Mentor Mripa kemi ardhur sot për t’i mbështetur dy artiste tona të mëdha Duan dhe Rita Orën të cilat pa hezitim, duke e parë një energji inerte të shtetit tonë, por gjithashtu duke e parë një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit tonë ato reaguan me mesazhe që tronditën botën dhe gjithashtu ato mesazhe tronditën më së shumti armiqtë tanë, ata që nuk na e duan të mirën vendit tonë”, deklaroi Azemi

Ndërkaq Metor Mripa ka thënë se kur artistët e suksesshëm e reprezentojnë denjësisht vendin e tyre atëherë edhe ne na takon t’i përkrahim ata.
“Ne kur përkrahim vlera, ne përkrahim veten realisht, fillimisht sepse nëse reprezentacioni i Kosovës, ose po them Majlinda Kelmendi ose natyrisht Dua Lipa, Rita Ora dhe shumë të tjerë të suksesshëm na reprezentojnë denjësisht pse edhe ne mos t’i përkrahim ato”, u shpreh Mripa.

Në njërin nga instalacionet ishte i printuar një imazh gjigant i këngëtares shqiptare, ku shkruante “Mbështeteni Duan”.

Gjithashtu pjesë e këtyre instalacioneve ishin edhe disa nga shkrimet e mediave serbe në të cilat është shprehur gjuhë e urrejtjes ndaj këngëtares Dua Lipa, dhe të cilat në këto instalacione etiketohen si lajme të rreme pasi që ato nuk paraqesin të vërtetën. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme