16 Korrik, 2025 - 9:31 am
Për herë të parë, publikut i jepet mundësia të shohë nga afër ikonën e Shën Marisë në Korçë, një nga veprat më të rralla të artit ikonografik shqiptar. Kjo ikonë i përket kishës së Mborjes, një kishë që sot nuk ekziston më, por që ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe artistike.
Restauratori i njohur Genti Proko shpjegon se kjo ikonë daton në fundin e shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV, dhe dallohet për një veçori të rrallë: është pikturuar në të dy anët. Në njërën anë paraqitet figura e Shën Marisë, ndërsa në anën tjetër është realizuar skena e Kryqëzimit, përcjellë KultPlus.
“Kjo ikonë përfaqëson një punim të rrallë për nga teknika, koha dhe përmbajtja. Dyfaqësia e saj tregon për përdorim liturgjik të veçantë dhe na lidh me një etapë të hershme të ikonografisë sonë”, tha restautori Proko.
Ndërkohë, një tjetër ikonë me rëndësi të veçantë, ajo e “Joanit Pagëzorit”, ka përfunduar procesin e restaurimit pas disa muajsh pune të përkushtuar në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
“Ikona kishte pësuar dëmtime serioze në të gjitha komponentët e saj, por tashmë ajo është restauruar dhe e gatshme për t’u ekspozuar. Është një pasuri që meriton të shihet nga publiku”, tha Marjana Lara, drejtore e muzeut.
Muzeu i Artit Mesjetar, në kuadër të një qasjeje të re ndaj publikut, prezanton herë pas here ikona që nuk janë ekspozuar më parë, duke i ofruar si vizitorëve vendas, ashtu edhe atyre të huaj, mundësinë për të zbuluar thesare të rralla të trashëgimisë sonë kulturore./KultPlus.com