103 vite nga lindja e aktores së madhe shqiptare, Marie Logoreci

23 Shtator, 2023 - 6:08 pm

103 vite më parë lindi aktorja e madhe shqiptare e teatrit dhe filmit, Marie Logoreci, shkruan KultPlus. Marie Logoreci ka lindur në Shkodër më 23 shtator 1920 dhe ishte pionere e kinematografisë shqiptare, e cila për meritat e saj u dekorua me  titujt Nderi i Kombit dhe Artiste e Popullit.   

Për herë të parë në film, luajti tek “Skënderbeu”, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana” etj. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të Nënës Shqiptare.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit.

Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”.

Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin, i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena, ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi, (shef i buxhetit të shtetit në atë kohë). Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit), një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos.


Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare, nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, “Lokja” te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”‘, Mara te “Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj. 

Marie Logoreci vdiq në Tiranë, nga një atak kardiak më 19 qershor 1988./KultPlus.com

Të ngjajshme