Aktori Joaquin Phoenix mban të njëjtin kostum për të gjitha ngjarjet

8 Janar, 2020 - 3:30 pm

Joaquin Phoenix mori çmimin për performancën më të mirë mashkullore për filmin Joker gjatë mbrëmjes prestigjioze të Golden Globe dhe ajo që nuk u vu re ndryshe nga pjesa tjetër e aktorëve hollivudianë ishte kostumi i tij. Phoenix, një vegan i bindur dhe ambientalist, ka bërë zgjedhjen e vetëdijshme për të patur të njëjtin kostum për të gjithë sezonin e çmimeve për të reduktuar shpërdorimin si dhe për të ndjekur linjën ‘jeshile’ në përputhje me nismën e tij pro-ambientaliste.

Veshja e tij gjatë natës së 5 janarit në Los Angeles, ishte projektuar për të nga Stella McCartney. Kostumi është një qepje klasike monopet me detaje ‘gros-grain’ në mansheta dhe një papion të zi me hark nga koleksioni Stella McCartney Menswear.

Joaquin Phoenix ka vendosur të veshë tuxedo gjatë gjithë sezonit të çmimeve, për të zvogëluar mbeturinat dhe ndikimin në mjedis. Gjithnjë vegan, në fjalimin e tij falënderues ai u përpoq të ndërgjegjësojë publikun për ndryshimet e vazhdueshme klimatike, duke i nxitur ata të adoptojnë një qëndrim proaktiv të ruajtjes së planetit dhe përqendrimin e vëmendjes në përgjegjësinë personale të secilit prej nesh. /KultPlus.com

Të ngjajshme