Aktorja Marika Kallamata përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes

19 Nëntor, 2020 - 1:27 pm

Marika Kallamata i përket asaj plejade të brezit të aktorëve që krijuan institucionin e artit skenik shqiptar. Ajo lindi në qytetin e Fierit më datë 17 nëntor të vitit 1930.

Në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria doli prej saj me vështirësi shumë të mëdha. Menjëherë u bë thirrje për të krijuar teatrin dhe pjesë e tij të bëheshin të rinj që gjatë luftës ishin aktivizuar me pjesë të vogla teatrore që kryheshin për të argëtuar batalionet që luftonin për çlirimin e vendit.

Sikurse shume emra si Naim Frashëri, Violeta Manushi etj, ishte edhe Marika Kallamata që më pas edhe studioi dhe u diplomua pas luftës. Megjithëse u diplomua në vitin 1963 ajo ishte pjesë e Teatrit Kombëtar që në vitin 1950 ku spikati për talentin e saj të jashtëzakonshëm.

Në teatër Marika Kallamata numëron mbi 60 role të suksesshme dhe 16 role të tjera ne kinematografi ku veçojmë rrolin e Asparisë tek “Karnavalet e Korçës” apo Ortensian tek “E zonja e Bujtinës” dhe role të tjerë të dashur për publikun.

Gjatë jetës së saj artistike ajo u vlerësua me disa çmime ku vlejnë të përmenden vlerësime si “Artiste e Merituar” dhe gjithashtu titulli “Naim Frashëri i klasit të parë”.

Megjithëse në vitin 1985 doli në pension, ajo u ngjit sërish në skenë në vitin 2004 me shfaqjen “Streha e të Harruarve”.

Marika Kallamata u nga jeta një vit më parë më datë 23 dhjetor të vitit 2019. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme