Albert Vërria, zootekniku që ëndrra e aktorit e shndërroi në një nga gurëthemelet e artit skenik shqiptar

4 Shtator, 2025 - 12:30 pm

Shkruan Albert Vataj

Edhe pse ai nuk është më prej dhjetë vitesh (17 gusht 2015), vlera dhe vepra që ai na la si trashëgim, na thërret obligueshëm ta kthejmë në kujtesë, sot në ditëlindjen e tij, sot kur kujtesa dhe malli e ribëjnë këtë imazh, e rishfaqin këtë figurë, e ridimensionjnë këtë vlerë arti, për ta aktualizuar, për ta rigjetur dhe promovuar mjeshtërinë e tij aktoriale, dhe propozuar atyre që kanë lidhur ëndrrat e tyre me artin e skenik, dhe atyra që më shumë se nostalgjia i lidh me të adhurimi, personazhet, batutat dhe momentet që nuk i fshin dot harresa.

Albert Vërria është një prej atyre emrave që nuk mund t’i ndash nga kujtesa kolektive e artit shqiptar. Figura e tij, megjithëse shtatshkurtër, ngrihet kolosale në peshën e roleve, në fuqinë e interpretimit dhe në mënyrën se si arriti të shndërrohej në simbol të gjallë të një epoke.

Shumëkush e njeh si aktorin vlonjat, por në të vërtetë Vlora ishte qyteti i artit të tij, jo i lindjes. Ai erdhi në jetë në Fier, më 3 shtator 1936, në një familje të madhe tregtare, Vërria, që kishte rrënjë të thella në historinë shqiptare, duke zbritur nga Voskopoja në vitin 1796, pas djegies së parë të qytetit të famshëm mesjetar. Me ardhjen e tyre, familja Vërria u bë pjesë e fizionomisë së hershme të Fierit, ende fshat në atë kohë.

Shkollimin fillestar dhe të mesëm e kreu në Fier, ndërsa ndjenja për artin e përqafoi që në fëmijëri. I magjepsur nga gërmimet arkeologjike të profesor Hasan Cekës në Apoloni, ai shijoi qysh atëherë aromën e dramaturgjisë antike dhe u ngjit për herë të parë në skenë si fëmijë, me rolin e Shulkës te pjesa “Minçurini i vogël”. Ky ishte fillimi i një rruge që do ta çonte drejt një lavdie të pashlyeshme.

Pasi përfundoi gjimnazin, studioi për zooteknikë dhe për dy vjet punoi në Kukës, më pas si pedagog në shkollën bujqësore të Fierit. Por brenda tij pulsonte fort zëri i artit. Mjedisi intelektual, bisedat për opera, balet e teatër me pedagogë të kulturuar, e ushqyen atë zjarr të brendshëm që s’do të shuhej kurrë.

Në vitin 1959, kur u hap për herë të parë shkolla e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, Vërria konkurroi me nxitjen e regjisorit të njohur Viktor Stratobërdha dhe fitoi vendin e tij mes brezit të parë të aktorëve të kësaj akademie (1959–1963). Pas diplomimit, ai u emërua aktor në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, duke vulosur një herë e përgjithmonë fatin e tij: artin e skenës dhe të ekranit.

Në vitin 1979, ai u nderua me titullin më të lartë “Artist i Popullit”, një vlerësim që thjesht konfirmoi atë që publiku e kishte shpallur prej kohësh me dashurinë e tij.
Albert Vërria nuk i ndau kurrë skenën dhe kinemanë. Ai vetë pohonte: “Teatri të jep kënaqësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me spektatorin, me emocionin dhe frymëmarrjen e tij.
Ndërsa kinemaja të jep popullaritetin, sepse filmi mbetet, përsëritet dhe të bën pjesë e përjetshme e kujtesës së shikuesit.”

Nga viti 1963 e deri në daljen në pension më 1991, Vërria realizoi mbi 110 role në teatër, variete, seriale televizive dhe filma artistikë, duke u provuar edhe si regjisor. Në skenë spikati me Vehipin e “Familja e peshkatarit” (1963), me fajdexhiun e “Rrënjët” (1969) të Kujtim Spahivoglit, me Halil Shkozën e “Fytyra e dytë” të Dritëro Agollit, e shumë të tjera.

Se cili ishte ai, Albert Vërria, i madhi i roleve të vogla, vigani shtatshkurtër i traditës sonë të artit skenik, më shumë se rolet që ai jetësoi, personazhet, të cilët ai i bëri të pavdekshëm, jetën që i i frymoi me pasion dhe përkushtim.

Nga i dehuri te filmi “Përse bie kjo daulle” (1969), te monumentali “I teti në bronz” (1970) apo tek Bakalli në “Kur zbardhi një ditë” (1971), personazhet e Albert Vërrisë vijnë gjithmonë me një origjinalitet të papërsëritshëm dhe me një thellësi interpretimi që e bën të dallohet. Ai dinte ta ruante natyrën e veçantë të secilit karakter, duke e shkrirë në mënyrë organike me tematikën e veprës, me kohën e ngjarjeve dhe me ritmin dramatik të episodit.
Kjo aftësi e çoi natyrshëm drejt rolit ikonik të xha Sulos në “Kapedani” (1971), film i Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, mbi skenarin e bashkëpunimit të tyre.

Personazhi i xha Sulos – një burrë i moshuar që mishëron ashpërsinë e normës patriarkale dhe mbart brenda vetes kontradiktat e shoqërisë tradicionale në përplasje me frymën e re – u bë jo vetëm një rol emblematik për Vërrinë, por edhe një figurë që mbeti e ngulitur në kujtesën kolektive të publikut shqiptar.

Më pas, ai vijoi me interpretimin e Hilukut në “Operacioni zjarri” (1973), të babait të Ademit në “Brazdat” (1973), apo të xha Kasemit në “Shpërthimi” (1974). Edhe pse jo gjithmonë role kryesore, ato u ngjitën në skenë me një përmbushje të plotë artistike falë lojës së matur, të peshuar dhe të besueshme të Albert Vërrisë. Secili personazh mbante vulën e tij: seriozitetin, finesën dhe përkushtimin e një aktori që nuk njihte role të vogla, por vetëm shfaqje të mëdha.

Nga Jani Ferra në “Shtigje të luftës” (1974), te Kaporal Pelegrini në “Në fillim të verës” (1975), apo Lec Kabashi në “Thirrja” (1976), e deri te Saliu në “I treti” (1978) dhe Ibishi në “Nga mesi i errësirës” (1978), loja e Albert Vërrisë shfaqet gjithnjë e më e konsoliduar, duke dëshmuar një impakt të fuqishëm interpretues. Ai arrinte të depërtonte në zemrën e çdo karakteri, duke e sjellë në ekran me atë madhështi që i jepte rrjedhshmëri e besueshmëri zhvillimit të ngjarjeve. Çdo figurë ishte një “Albert tjetër”: një tjetër shfaqje e aftësisë së tij për të përçuar lojë, emocion dhe përjetim të thellë tek publiku.

Kulmin e këtij konsolidimi e gjejmë te Nuri Beu në filmin e jashtëzakonshëm “Koncert në vitin 1936” (1978), një gur themeli i kinematografisë shqiptare nën regjinë e Saimir Kumbaros dhe mbi skenarin e Kiço Blushit e Dhimitër Shuteriqit. Ky rol i dha Vërrisë një tjetër përmasë artistike: atë të aktorit që përfaqëson jo vetëm individin, por edhe një epokë, një sistem mendësish, një realitet historik.

Më tej, ai spikati me figurën e Babait të Asimes në “Përtej mureve të gurta” (1979), ku mishëroi bindshëm profilin e një patriarku të zakoneve elbasanase, të ngurtësuar mes traditës dhe zakonit.

Ai vijoi me Tasin në “Dëshmorët e monumenteve” (1980), Soll Lilin në “Agimet e stinës së madhe” (1981), e më pas me pjesëmarrje të denja në filmat televizivë si “Ditë të qytetit tim” (1982).

Në rolin e Bariut në “Melodi e pandërprerë” (1985), apo si shoku Kopi në “Rrethimi i vogël” (1986), dhe së fundi në “Në emër të lirisë” (1987), ai vazhdon të bartë të njëjtën forcë interpretuese, të njëjtën plastikë shprehëse dhe thellësi përjetimi.

Çdo karakter që ai luajti, qoftë i vogël apo i madh në peshë narrative, mbartte shpirtin e tij, vulën e mjeshtërisë së një aktori që nuk e shihte rolin si rastësi, por si mision.

Albert Vërria nuk i jepte thjesht zë personazheve; ai i jepte shpirt. Ai nuk i vishte thjesht me gjeste e batuta; ai i ngjizte me energjinë e tij, duke i bërë të prekshëm, të afërt dhe të përjetshëm.
Dhe ja ku mbërrijmë te të tjerë role të mëdha, role të jashtëzakonshme, ku Albert Vërria sjell më së miri universin e tij shpirtëror dhe interpretues. Ana komike therëse dhe karakteri i ngjeshur i lëvizsshmërisë në një dinamikë të tendosur e bëjnë lojën një përkatësi identitare.

Dionisis, Kepucari në “Misioni përtej detit” – (1988), edhe pse një rol episodik, e përçon reale pjesën e lojës. Historiani, “Historiani dhe kameleonët” (1988), për të ardhur te komedi “Trapi i Vjetër” (2005).

Me mbi 20 filma mbajnë gjurmën e tij të pashlyeshme. Ai nuk ishte vetëm një aktor, por një mjeshtër i shndërrimit, një alkimist i emocioneve që e kthente çdo rol në pjesë të shpirtit të tij dhe të shikuesve.

Ai e lidhte gjithmonë identitetin e tij me Vlorën, qytetin ku u bë artist: “Megjithëse jam nga Myzeqeja, kam marrë shumë nga Vlora. Aty mësova besën, krenarinë dhe dashurinë për artin. Vlonjatët i duan dhe i respektojnë artistët e tyre, dhe unë gjithë shpirtin tim të përkushtimit ia kam dhënë këtij publiku, që gjithmonë më ka pritur me dashuri. Për ta, gjithmonë kam dashur të jem në lartësinë e lojës më të bukur.”

Albert Vërria mbetet kështu vigani shtatshkurtër që u ngjit mbi podiumin e përjetësisë, duke i dhënë artit shqiptar një trashëgimi të pashlyeshme, të ngulitur thellë në kujtesën e brezave./KultPlus.com

Të ngjajshme