Anibar sjellë në Kosovë të nominuarin për çmimin Oscar, Koji Yamamuran

7 Korrik, 2019 - 5:29 pm

Një ndër objektivat e Festivalit të Animacionit “Anibar”, është dhënia e kontributit në edukimin e brezave të rinj rreth animacionit, përmes prezantimeve nga profesionistë të fushave, artistë e profesorë të dëshmuar tashmë globalisht përmes punës së tyre.  Për këtë qëllim këtë edicion kemi ftuar një ndër emrat më të njohur të industrisë së filmit të animuar në Japoni, është animatori i shumënjohur Koji Yamamura.

Yamamura do të jetë prezent në ditën e fundit të festivalit, më 21 korrik 2019. Ai do të mbajë një prezantim në lidhje me “Shndërrimin e imagjinatës në realitet” përmes animacionit. Pas prezantimit të tij, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të parashtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë me të lidhur me teknikat më profesionale të përdorura nga mjeshtri i animacionit. Duhet potencuar se në përgjithësi në industrinë e filmit të animuar, teknologjia e përdorur në prodhimin e filmave merr vëmendjen kryesore të kritikëve dhe artdashësve.

Për Koji Yamamura-n krijimi i filmave të animuar është si hyrje në një botë më të thellë shpirtërore, ku tejkalohet dualizmi në mes të mendjes dhe materies, dhe mund të realizohet bashkimi i ndërdijes me realitetin. Koji Yamamura gjatë prezantimit të tij do ta përqendrojë vëmendjen kryesisht mbi aspektet psikologjike të disa filmave të tij të animuar si: Mt. Head,
Fig, Franz Kafka, Country Doctor, Strings Muybridge, “Satie Parade”;. Ai do të flas ndër tjerash për rolin e ndërdijes në prodhimin e filmave të animuar, dhe mënyrat për të hyrë në ndërdije përmes teknikave të animacionit.

Përndryshe, Koji Yamamura është anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, dhe profesor i Universitetit të Arteve në Tokyo. Ai gjatë vitit 1990 e rafinoi stilin e tij, duke shpenzuar shumë në krijimin e filmave për fëmijë. Filmi tij, “Mt Head”, është nominuar për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të animuar nga Akademia e Filmit në vitin 2003. Filmi i tij në thelb intepreton historinë tradicionale japoneze të Rakugos “Atama-yama”. Nominimi për Oscar shënoi një pikë kthese për Kojin. Pas këtij nominimi, filma te tij si: “Crocodile”; (2005), “Franz Kafka” “Country Doctor” (2007), dhe “Strings Muybridge”; (2011), morën më shumë se 90 çmime nëpër festivale të animacionit./Inajderi/KultPlus.com

Të ngjajshme