“Breaking Bad” ndoshta edhe me një vazhdim

31 Janar, 2020 - 12:30 pm

Seria me popullaritet botëror “Breaking Bad” mund ta ketë edhe një vazhdim. Djali i Heisenberg, Walter Junior mund të bëhet gangsteri i ri nga Albuquerque.

“Breaking Bad” është një seri aq e mirë nga e cila edhe krijuesit e Game of Thrones do të turpëroheshin. Ajo, sipas mendimit të kritikëve dhe publikut, është njëra nga seritë më të mira dramë në historinë e televizionit. Këtë e mbështet edhe suksesi i të ashtuquajturave spin-off, apo përmbajtjet e bazuara në personazhet dhe ngjarjet nga Breaking Bad, siç janë “Better Call Saul” dhe “El Camino: A Breaking Bad Movie”.

Ka të ngjarë që në të ardhmen do ta shohim një seri krejtësisht të re të Breaking Bad, me djalin e Heisenberg në rolin kryesor, shkruan KOHA Ditore. Siç e dinë adhuruesit besnikë të serisë, Walter Juniorin, djalin e personazhit kryesor, e luajti 27-vjeçari RJ Mitte. Aktori kohët e fundit deklaroi se është i gatshëm për serinë e vet, ku personazhi i tij do ta ndjekë trashëgiminë e babait dhe të bëhet vetë gangster.

“Ai është djali i babait të tij, siç shihet nga vendimet e tij dhe sistemi i vlerave me qëllimin për ta mbrojtur familjen e tij. Do të doja ta shihja personazhin tim, Walt Jr., në rolin e gangsterit”, thotë Mitte.

Mitte ia prezantoi idenë e tij për serinë e re Vince Gilliganit, krijuesit të Breaking Bad, ndërsa nëse i jepet drita e gjelbër për ta xhiruar serinë, suksesi është pothuajse i garantuar.

Vetëm dy vjet pas përfundimit të Breaking Bad, rrjeti amë AMC ia dha Bob Odenkirkut, i cili e interpretoi avokatin Saul Goodman, serinë e tij të quajtur “Better Call Saul”. Seriali rezultoi të jetë një hit i madh.

Në web faqen Rotten Tomatoes, të dedikuar për vlerësimin dhe kritikën e filmave dhe serialeve, “Better Call Saul” e ka një rekomandim të lavdishëm prej 97 përqind. Sezoni i pestë është dashur të transmetohet tani, ndërsa AMC tashmë e ka aprovuar vazhdimin e serisë (UNILAD).

Sa i përket filmit të Netflix “El Camino: A Breaking Bad Movie”, ngjarja e të cilit bën fjalë për partnerin e Heisenberg, Jesse Pinkman, vetëm në shtatë ditët e para është shikuar më shumë se 25 milionë herë. Suksesi i këtyre serive e dëshmon popullaritetin e Breaking Bad, i cili nuk është zbehur edhe gjashtë vjet pas përfundimit të serisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme