Fellini: Nëse e bëni atë që keni lindur për ta bërë, mendoj se nuk do të plakeni kurrë

22 Shkurt, 2020 - 8:52 pm

Në shqip: Bujar Meholli

Federico Fellini është emër i madh në fushën e kinematografisë. Filmat e tij ishin përherë të gjallë, me imazhe interesante, bizare, që portretizonin gjendjen njerëzore. Gjenialiteti i tij bëri që katër filma t’i shpërblehen me çmimin “Oscar” për filmin më të mirë. Ishin “La Strada”, “The nights of Cabiria”, “8 1/2” dhe “Amarcord”, që u laureuan.

Karriera e tij është ndër më interesantet. E mbushur me shumë pasazhe ku shquhet vizioni i tij personal te i cili ai përqendrohej dhe madje edhe e vinte në krijimtarinë filmike. Fellini ishte antiklerik i prirur, e shpeshherë i shqetësuar brenda vetes. Preokupimi i tij bie te marrëdhëniet midis burrave dhe grave, gjegjësisht te seksi dhe dashuria.

Filmat e Fellinit përmbajnë maska, maskarada, cirk, fytyra të çuditshme, befasuese, rokoko, është prizmi nga i cili ai e shihte jetën. Konceptet e filmave të tij, e kanë bazën te mendja e Maestros, te e brendshmja e tij e pasur. Ëndrrat, fantazitë shumta, ai arrin t’i shkrijë në skenarë filmash.

Shpeshherë ishte protagonist i filmave të tij, e njohur është alter egoja Marcello Mastroianni në filmat “La Dolce Vita”, “8 8/2” dhe “City of women”.

I prirur për ta synuar dhe arritur perfeksionin, Fellini, përsëriste shumë skena madje në periudha të gjata kohore që kapnin vite. Studimi i hollësishëm që iu bënte filmave, e bëri njërin prej kineastëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Përveç çmimeve “Oscar”, filmat e Fellinit fituan qindra çmime të tjera të rëndësishme, duke përfshirë ato të festivaleve, si dhe pesë çmimet e para nga kritikët e filmit në Nju-Jork.

Nuk ka se si mos të përmendet kryevepra felliniane “Fellini’s Casanova”, saga e jashtëzakonshme e Giacomo Casanovas, aventurierit dhe shkrimtarit të shekullit 18, të cilën ai e përshtati mjeshtërisht.

Mes viteve ’60, filmat e tij do të theksojnë imazhin surreal dhe grotesk.  Me ëndrrat e tij që i shfaqeshin dhe të cilat më pas i hidhte në letër Fellini fascinoi gjithë botën. Ëndrrat e tij janë të përmbledhura në “Librin e ëndrrave”. Federico Fellini ishte poet i kinemasë, dhe puna e tij në masën më të madhe është autobiografike. /KultPlus.com

Të ngjajshme