Festivali i Filmit në Venecia 2025: 21 filma garojnë për “Luanin e Artë”

27 Gusht, 2025 - 4:50 pm

Ka nisur këtë të mërkurë në lagunën italiane Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia, ngjarja më prestigjioze dhe më e vjetër e kinemasë në botë, i cili këtë vit shënon edicioni e 82-të. Festivali, që zgjat nga 27 gushti deri më 6 shtator 2025, e ka kthyer Venecian në epiqendrën e industrisë globale të filmit për disa ditë me radhë.

Në këtë edicion, 21 filma janë në garë për çmimin kryesor “Luani i Artë”, ndërsa dhjetëra të tjerë do të shfaqen jashtë konkurrimit. Hapja e festivalit u bë me premierën botërore të filmit të shumëpritur “La Grazia” nga regjisori fitues i Oscar-it, Paolo Sorrentino, ku në rolin kryesor rikthehet aktori i madh italian Toni Servillo.

Tapeti i kuq i Venecias do të presë edhe këtë vit emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore. Mes yjeve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Julia Roberts, George Clooney, Cate Blanchett, Adam Driver dhe Timothée Chalamet, duke i dhënë festivalit një shkëlqim të veçantë.

I themeluar në vitin 1932, Festivali i Filmit në Venecia është i pari i këtij lloji në botë dhe për dekada është konsideruar një trampolinë drejt suksesit ndërkombëtar, shpesh duke paralajmëruar fituesit e ardhshëm të Oscar-it.

Përveç filmave në konkurrim, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje speciale, dokumentarë, retrospektiva dhe aktivitete artistike, duke e kthyer këtë edicion në një festë të vërtetë të artit të shtatë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 6 shtator 2025, ku përveç “Luanit të Artë”, do të shpërndahen edhe çmime për regjinë, aktrimin dhe kontributet artistike.

Me atmosferën e saj unike dhe traditën e gjatë në promovimin e kinemasë, Venecia edhe një herë dëshmon se mbetet zemra e artit të shtatë, duke u dhënë hapësirë si ikonave të njohura, ashtu edhe kineastëve të rinj që synojnë të lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Të ngjajshme