Filmat e ditës së gjashtë të Tirana International Film Festival

29 Shtator, 2022 - 5:04 pm

Mëngjesi i ditës së gjashtë të TIFF-it, nisi me të tjerë filma studentorë, Short Experimental. 5 filmat që u shfaqën sot, në Millennium, nga kjo kategori, ishin prurje nga Europa; Poloni, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Spanjë, e Republika Çeke.

Njëkohësisht në sallën e kinemasë, tek Liceu Artistik “Jordan Misja”, u shfaqën filmat nga programi KIDs, i Special Selection. Deri në orën 12:00, fëmijët kanë parë filma të animuar, ndërsa për më të rriturit ishin rezervuar tre filma fiksion.

Ora 12 kthehu në Kinema Millennium, filmin dokumentar. Nga kategoria Short Competition, u shfaqën gjashtë dokumentarë të metrazhit të shkurtër, prej të cilëve dy vinin nga Kina e Tajlanda.

Një tjetër kategori filmash ishte ajo e filmave fiksion, studentorë. Njëri prej tyre, prodhim gjerman i regjisorit Steve Bache, titullohet Fatjona dhe është realizuar mbi skenarin e shqiptarit Driton Sadiku. Filmi prej 28 minutash rrëfen historinë e një nëne të re, e cila kishte dhënë për adoptim vajzën e saj. Gruaja e re vihet në kërkim të fëmijës, tashmë 6-vjeçare, dhe tronditet kur sheh se vajza nuk e mban mend më. Filmi ka qenë këtë vit edhe një nga finalistët e çmimeve BAFTA për studentë dhe mund të konsiderohet si një fitues i mundshëm i kategorisë së tij, në TIFF, duke pasur kështu shansin të kualifikohet për Oscars./ atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme