Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’ – fitues i trefishtë në Venezuelë

10 Korrik, 2018 - 11:30 am

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi’ me skenar e regji të Lorena Sopit, është shpallur fitues i trefishtë në Five Continents International Film Festival në Venezuelë, shkruan KultPlus.

Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’ në Edicionin e 16-të të këtij festivali, në kategorinë e filmit të shkurtër, ka fituar çmimin Filmi më i mirë fantastik (Best Fantastic Short Film), pastaj Çmimin për aktorin më të mirë (Best Lead Actor Short Film) për Xhevat Qorraj dhe Çmimin për regjisorin e ri më të mirë (Best Young Director).

‘Përjetësisht Fëmi’ ka qenë pjesë e më shumë se 40 festivaleve të ndryshme ndërkombëtare dhe deri më tani ka fituar katërmbëdhjetë çmime kinematografike.

Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’ trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe fëmiut të tij të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi supet e veta fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur ,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj, ndërsa në rolin e fëmiut, Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.
Drejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Kompozitor – Naim Krasniqi. Montazhier – Nexhmi Mehmeti. Kostumografe – Samka Ferri. Mjeshtër zëri – Gëzim Rama. Skenograf – Uran Duli. /KultPlus.com

Të ngjajshme