Justin Bieber me rol në serialin ‘Friends’

19 Prill, 2021 - 9:04 am

Ylli 27-vjeçar i muzikës pop, Justin Bieber, do ta ketë një paraqitje të vogël në shoun ribashkues “Friends”. Këngëtari është bindur nga producentët e këtij projekti special që ta vesh kostumin e famshëm të personazhit Ross Geller, të njohur me emrin ‘Spudnik’ e që në fakt është një patate.

Kështu, Bieber do të jetë pjesë e një episodi të shout ikonik të cilin publiku ka kohë që po e pret të rikthehet në ekran.

“Justin ishte i nderuar që është bërë pjesë e këtij projekti dhe nuk i ka penguar se i është dashur ta vesh këtë kostum qesharak”, citohet të ketë thënë një burim për gazetën “The Sun”, transmeton KultPlus.

Në episodin në fjalë, Bieber do të luajë krahas aktorëve Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matthew Perry, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer, të cilët i përsërisin rolet e tyre të serialit ikonik.

Angazhimi i këngëtarit në këtë projekt special po konsiderohet një arritje e madhe për shefat e platformës “HBO Max”, të cilët më herët janë detyruar t’i shtyjnë disa herë xhirimet e serialit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në nëntor të vitit të kaluar u bë i ditur lajmi se një ribashkim i plotë i ekipit të serialit së popullarizuar është në realizim e sipër, me qëllim të festimit të 25-vjetorit të publikimit të “Friends”, që është një prej projekteve më të suksesshme televizive që u transmetua nga viti 1994 deri më 2004, si dhe i përfshinte mbi 200 episode.

Seriali “Friends” Ajo i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green dhe Phoebe Buffay. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme