23 Maj, 2025 - 12:41 pm
Në një kodër përballë Gazës, një çift përqafohet, të pavetëdijshëm për bombardimet në distancë.
Me filmin ”Yes” një afresk radikal i prezantuar në Kanë, regjisori izraelit Nadav Lapid thotë se dëshiron të dërgojë një elektroshok kundër verbërisë së vendit të tij që nga 7 tetori.
”Verbëria në Izrael është për fat të keq një sëmundje mjaft kolektive”, tha regjisori 50-vjeçar, i cili tashmë i kishte analizuar të këqijat e vendit të tij në filmin ”Synonyms”, i cili fitoi Ariun e Artë në Berlin në vitin 2019, dhe ”Ahed’s Knee” (2021).
Në filmin ”Yes”, të prezantuar në sesionin ”Filmmakers’ Fortnight”, ai përshkruan një shoqëri të varrosur nga ana e saj e errët që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe e cila zgjedh të mbyllë një sy ndaj luftës në Gaza me më shumë se 53 000 vdekje deri tani.
“Ajo që ndodhi më 7 tetor, niveli i tmerrit dhe mizorisë, e vendosi gjithçka në një nivel biblik”, shpjegon ai.
“Fantazia e madhe izraelite (…) për t’u zgjuar një ditë kur palestinezët nuk do të jenë më aty është shndërruar në një program”, thekson Lapid.
Për gati dy orë e gjysmë kaosi, filmi i tij ndjek një muzikant të quajtur Y, i cili ngarkohet nga autoritetet me detyrën e rishkrimit të himnit kombëtar izraelit për ta shndërruar atë në një copë propagande që bën thirrje për zhdukjen e palestinezëve. Ai pranon.
Dhe “Yes”-i në titull i referohet të vetmes përgjigje që u mbetet artistëve në Izrael, sipas aktorit kryesor Ariel Bronz, i cili shkaktoi një stuhi në vitin 2016 duke futur një flamur izraelit në anusin e tij gjatë një shfaqjeje në Tel Aviv.
”Detyra e parë e një artisti është të mos ecë me rrjedhën”, siguron ai.
“Duhet ta paguash çmimin. Është një sprovë e vërtetë të mbijetosh në këtë situatë ku je plotësisht i izoluar në vendin tënd. Ka shumë pak njerëz që ngrihen dhe thonë se ajo që po ndodh në Gaza është e padurueshme”, thotë Nadav Lapid, i cili beson se në vendin e tij ekziston ”një formë unanimiteti në lidhje me superioritetin e jetës izraelite mbi jetën palestineze”./atsh/ KultPlus.com