Aktorja Yllka Gashi, presidente e jurisë në ‘Art Without Limit International Film Festival 2021

22 Nëntor, 2021 - 12:30 pm

Protagonistja kryesore e filmit “Zgjoi”, Yllka Gashi, do të jetë pjesë e jurisë në edicionin e dytë të Festivalit të Filmit, “Art Without Limit International Film Festival”, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, i cili do të zgjasë nga data 1 deri në 3 dhjetor, Gashi do të jetë presidente e jurisë.

AWLIFF është i vetmi Festival në Ballkan ku të gjithë filmat të cilët janë në program për tu shfaqur, kanë si temë personat me aftësi të kufizuar.

Festivali është organizuar nga një grup i grave Artiste dhe NGO “Art Ëithout Limit” me drejtoreshë ekzekutive Ganimete Sava, ndërsa drejtor Artistik është regjisori; Burim Haliti, dhe drejtor i programit; Michael Stoeger.


Shumë filma nga 80 vende të Botës kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të festivalit, selektorët e festivalit kanë përzgjedhur 50 nga ta për tu shfaqur në edicionin e dytë në konkurrencë zyrtare.

Hapja zyrtare e këtij festivali do të bëhet më 1 dhejtor me fillim nga ora 18:00 në Kino Armata në Prishtinë me premierën vendore të dokumentarit të shkurtër “Light Sparks”.

Në anën tjetër, gjatë ditës së dytë do të shfaqen filmat konkurrues në Kino Armata në Prishtinë, ndërsa me datën 3 dhjetor në orën 18:00 do të bëhet ceremonia e ndarjes së çmimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këtë edicion, festivali do të përbëhet nga 3 juri të ndryshme, ku në të parën bëjnë pjesë juria kryesore, në të dytën juria e mediave dhe juria e organizatave të aftësisë së kufizuar në Kosovë.

Juria kryesore e festivalit është e përbrë nga Yllka Gashi, Cristiano Palozzi, Agron Domi, Donna Russo, Rolf Killius dhe Lou Fugeroa.

Secila juri do të bëjë ndarjen e çmimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me 50 filmat e përzgjedhur.

Data 3 Dhjetor po ashtu shenohet si ditë Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar. /KultPlus.com

Të ngjajshme