Kushtrim Hoxha: Duhet të keni një ëndërr, unë kam sakrifikuar shumë për të realizuar ëndrrën time

31 Dhjetor, 2018 - 10:45 pm


Të kesh ëndrra të mëdha dhe të punosh për realizimin e tyre, do të thotë që t’i beson në fuqinë tënde në radhë të parë dhe në atë që ai që punon edhe shpërblehet. Një mision të tillë ka ndjekur edhe aktori kosovar Kushtrim Hoxha. Si shumë të tjerë, edhe Kushtrimi u largua nga Kosova drejt SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, por jo si shumë të tjerë, ai punoi fort dhe e shfrytëzoi këtë rast për të arritur edhe ëndrrat e tij, vazhdimin e studimeve për aktrim. Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Neë York. Rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “BlueBloods”, “Person ofinterest”, si dhe “The Americans”, bën që zëri i Kushtrimit të dëgjohet dhe emri i tij të lartësohet, për të fituar kështu edhe role të reja. Deri më tani vetëm në SHBA, Hoxha numëron më shumë se gjashtë role në seriale televizive, dy filma dhe rreth 12 role në teatër. Për të shpalosur më shumë rreth sfidave, sukseseve, mundësive dhe jetës si aktor në SHBA, Kushtrim Hoxha me një modesti të jashtëzakonshme që e karakterizon, në një intervistë për KultPlus rrëfen këtë periudhë interesante, sa të vështirë aq edhe të suksesshme për të.


Jeta Zymberi

KultPlus: Qysh në fëmijëri keni filluar të merreni me aktrim, por shkollimi juaj në degën e aktrimit në SHBA ju ka bërë një aktor profesionist, fillimisht karrierën e nisët në Kosovë por e vazhduat në SHBA, si e përshkruani këtë kapërcim?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë rrugëtim interesant . Studimet e mia të aktrimit kanë filluar në Akademinë e Arteve në vitin 1996 për tri vite deri në vitin 1999, unë kam qenë në vitin e tretë të aktrimit kur ka filluar lufta në Kosovë dhe unë kam përfunduar si refugjat në SHBA. Në Amerikë për fat të keq nuk mi pranuan vitet e mëparshme të fakultetit që kisha bërë në Kosovë , kështu që mu desh të filloj edhe njëherë nga fillimi në Universitetin e North Carlines në Greensboro ku pas 4 viteve, në vitin 2003 diplomova, pastaj jam kthyer në Kosovë deri në vitin 2012, kur jam pranuar për Master në Universitetin e San Diegos dhe Teatrin Old Globe, dhe nga ajo kohë jetoj në USA.

KultPlus: Ju tashmë numëroni disa role të rëndësishme ndërkombëtare, por cili rol është më domethënës për ju?

Kushtrim Hoxha: Çdo rol është i rëndësishëm për mua edhe ne çdo rol që e luaj gjej diçka të re që më intrigon. Në Amerikë rolet që kam pasur në seriale televizive nuk është se janë role të mëdha dhe që kanë një thellësi të jashtëzakonshme, mirëpo unë mundohem që edhe në ato role të bëj më të mirën që mundem. Mund të them se për çdo rol të ri që marr mundohem të jap maksimumin dhe të mishërohem me personazhin që luaj.

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet me të cilat është angazhuar Kushtrimi së fundmi?

Kushtrim Hoxha: Para pak ditësh kam përfunduar një film të metrazhit të shkurtër, filmi quhet ‘Jane’ nga një regjisor i ri shumë i talentuar Joey Schëeitzer. Momentalisht nuk kam ndonjë angazhim tjetër, mirëpo vazhdoj të marr pjesë në audicione dhe shpresoj në projekte të reja dhe sfiduese.

KultPlus: Të jesh aktor në Kosovë dhe SHBA, padyshim që është një ndryshim i madh, por ku e sheh të metën më të madhe të aktrimit në Kosovë?

Kushtrim Hoxha: Nuk shoh ndonjë të metë të aktrimit në Kosovë, përkundrazi unë mendoj që aktorët e Kosovës janë aktorë shumë të mirë duke marr parasysh në kushtet në të cilat punojnë. Kohët e fundit ka pasur një ngritje të madhe të cilësisë në filma, apo teatër, projekte që kanë vënë në pah shumë aktor/e të talentuar. Në anën tjetër unë mendoj që është shumë më vështirë të jesh aktor në Neë York se sa në Kosovë. Puna e aktorit për fat të keq është e njëjtë gjithkund në botë, është punë shumë e vështirë, jo të gjithë aktorët që studiojnë për aktrim përfundojnë si aktorë. Në NY ku unë jetoj, janë vetëm të regjistruar diku 150 mijë aktorë, mirëpo shumë prej tyre edhe nuk arrijnë të punojnë për shkak të konkurrencës së madhe dhe përfundojnë duke bërë punë të tjera që sigurojnë ekzistencën.

KultPlus: Karriera juaj është më shumë e fokusuar në SHBA, por nuk mungoni as në projektet shqiptare, ju kishit rolin kryesorë te filmi “Nëntor i Ftoftë”, si është të punosh me regjisorët shqiptarë?

Kushtrim Hoxha: Po kam pasur fatin të jem pjesë e filmit “Nëntor i ftoftë” , ka qenë privilegj për mua të marr ftesë për këtë rol dhe kënaqësi e veçantë të punoj me regjisorin Ismet Sijarina, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme me filmin, producentin/ aktorin Fatmir Spahiu, partneren time në film Adriana Matoshin, dhe gjithë ekipën e këtij filmi. Marrë parasysh buxhetin e ulët që ka pasur filmi dhe kushtet në të cilat punohet filmi në Kosovë, atëherë unë besoj që regjisori dhe producenti ja kanë arritur të bëjnë një film të mrekullueshëm me të cilin morëm pjesë në disa festivale shumë të mëdha dhe u prit shumë mirë.

KultPlus: Po me këtë rol, ju u bëtë edhe fitues i çmimit ‘Aktori më i mirë’ në Festivalin e Filmit të Bosforit në Stamboll, a e keni pritur këtë çmim

Kushtrim Hoxha: Jo nuk e kam pritur se do të fitoj sepse në konkurrencë kam pasur aktorë me shumë më tepër eksperiencë se sa unë, aktor fantastik, kështu që ka qenë një befasi e këndshme. Për mua ka qenë me rëndësi që filmi ka pasur rrugëtim të mirë, dhe kemi pasur një tregim të viteve të 90-ta, tregim që është dashur të tregohet, një testament për gjeneratat e ardhshme që nuk kanë qenë të lindur në atë kohë. Mirëpo, edhe ky çmim nuk është meritë e imja por e gjithë ekipit të filmit pa dallim, që më kanë ndihmuar ta punoj rolin.

KultPlus: Keni xhiruar përkrahë yjeve të njohura të filmit, si është të punosh me ta dhe çfarë mendimi kanë ata për shqiptarët?

Kushtrim Hoxha: Ka pasur raste kur disa nga aktorët dhe regjisorët kanë dashur të dinë më shumë kush jam dhe nga vij, në raste të shumta nuk është se dinë shumë për Kosovën, unë gjithmonë flas me krenari dhe jam i hapur për biseda interesante rreth vendit prej nga vij.

KultPlus: Ju gjithashtu keni qenë aktiv edhe në muzikë, a keni në plan ndonjë projekt të ri muzikor?

Kushtrim Hoxha: Për fat të keq nuk është se jam marr me muzikë kohën e fundit, kam shumë tekste e këngë që mund t’i punoj, mirëpo ende nuk e kam gjetur kohën e duhur. Shpresoj në një të ardhme të afërt të punoj një këngë te re.

KultPlus: Cili është mesazhi i Kushtrimit për të gjithë të rinjtë shqiptarë që synojnë tregun ndërkombëtarë?

Kushtrim Hoxha: Nuk e di saktësisht përgjigjen për këtë pyetje, mund të cek vetëm disa gjëra nëpër të cilat unë kam kaluar, kam sakrifikuar shumë, kam punuar shume, kërkohet një disiplinë e jashtëzakonshme , duhet të jesh i gatshëm të ballafaqohesh me refuzime, mirëpo gjëja më e rëndësishme është të bësh punën që e do me dashuni e respekt, t’i duash dhe respektosh njerëzit që të japin përkrahje e të mësojnë, dhe të kesh një ëndërr. Të tjerat vijnë vet.

KultPlus: Si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me disa fjalë?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë një vit interesant me ngritje e zbritje, mirëpo në përgjithësi një vit pozitiv. Shpresoj që në vitin 2019 të ketë më shumë dinamikë, punë, projekte interesante dhe paqe dhe dashuri për të gjithë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme