Mësohet aktorja e ardhshme që do ta portretizojë Mbretëreshën Elizabeta në serinë “The Crown”

3 Shkurt, 2020 - 4:00 pm

Aktorja britanike, Imelda Staunton, do ta portretizojë Mbretëreshën Elizabeta në moshë të shtyrë, në sezonin e fundit të serisë së shpërblyer me disa çmime “The Crown”. Kështu bëri të ditur krijuesi i projektit të famshëm televiziv.

Seria e platformës “Netflix’ e cila flet për familjen mbretërore britanike, do të përfundoj me sezonin e pestë dhe jo të gjashtë, siç ishte menduar fillimisht, transmeton Koha.net. Lajmin e konfirmoi edhe skenaristi dhe producenti ekzekutiv i serisë, Peter Morgan.

Staunton, më së miri e njohur për portretizimin e zyrtares hakmarrëse të Ministrisë së Magjisë, Dolores Umbridge, në filmat me buxhet të lartë “Harry Potter”, do ta trashëgojë rolin e monarkes angleze nga aktorja, Olivia Colman, e cila e ka interpretuar Elizabetën e Dytë në moshë të mesme, në sezonin e tretë dhe të katërtin të serisë “The Crown”, që pritet të lansohet se shpejti. Ndërsa në dy sezonet e para, roli i mbretëreshës së Anglisë ishte portretizuar në mënyrë të shkëlqyer nga aktorja, Claire Foy.

Në një deklaratë për media, Staunton ka thënë se ndihet e nderuar që do të jetë pjesë e këtij projekti të vlerësuar nga publiku dhe kritika.

Seria “The Crown”, dy sezonet e para të së cilës kanë kushtuar 130 milionë dollar për tu realizuar, i sjellë në formë dramatike disa ngjarje nga jeta e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, ndryshe e njohur si monarkja me shërbimin më të gjatë në botë.

Claire Foy dhe Olivia Colman, që të dyja e kishin fituar nga një shpërblim “Globi i Artë”, për rolet e tyre në serinë “The Crown”. Pritet të shihet nëse Imelda Staunton, do ta shënojë të njëjtin sukses. / KultPlus.com

Të ngjajshme