Ndahet nga jeta në krye të detyrës regjisori Roland Roshi

26 Shtator, 2018 - 10:12 pm

Regjisori Roland Roshi është ndarë nga jeta në krye të detyrës, pak para nisjes së edicionit informativ në Radio Televizionin Shqiptar, pasditen e së mërkurës.

Roshi ka dhënë për shumë vite kontribut në RTSH si folës e regjisor. Pavarësisht reagimit dhe dërgimit të shpejtë në spital ai nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen.

Roland Roshi ka lindur dhe është rritur në qytetin e Përmetit. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, që sot njihet si Akademia e Arteve të Bukura. Ka filluar punë për herë të parë në qytetin e Fierit, në teatrin Bylis të qytetit të Fierit ku është shquar për rolin e tij si “Avni Rustemi”, tek Drama “Dy krisma në Paris”.

Por puna e tij ka qenë e lidhur shumë edhe me regjinë. Për shumë vite ka punuar si regjisor me Estradën dhe Tetarin e Fierit. Më pas puna e tij ka vazhduar në Radio Tirana dhe në Televizion si folës lajmesh dhe si regjisor spektaklesh dhe emisionesh informative.

Homazhet do të zhvillohen nesër, 27 shtator, ora 12.00 tek Holli i RTSH-së./tvklan.al/KultPlus.com

Të ngjajshme