Një mbledhje komemorative për një yll si Xhevat Qorraj, për 76 vjet jetë realizoi 70-të role

28 Gusht, 2023 - 4:23 pm

Vjollca Duraku

Artist i madh, i rrallë, i jashtëzakonshëm, yll e personalitet i rrallë i skenës teatrore të Kosovës, si dhe intelektual janë disa nga epitetet me të cilat u cilësua aktori Xhevat Qorraj në mbledhjen komemorative, e cila u mbajt në kujtim të jetës dhe veprës të aktorit tashmë të ndjerë, shkruan KultPlus.

Në këtë mbledhje komemorative, e cila u mbajt në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në të cilën pati figura të shquara të teatrit, artit dhe kulturës në përgjithësi, ndër të tjera u tha se artisti Xhevat Qorraj ishte artist i rrallë, që përveç roleve, ka sjell një përvojë të thellë të shpirtit njerëzor.

Ceremonia komemorative filloi me një minutë heshtje, për të nderuar veprën e tij madhore në teatër dhe kinematografi,  ku në 76 vite jetë, arriti të realizojë  70 role, me një mjeshtëri të rrallë e të cilat patën ndikim të thellë në skenën teatrore. Disa prej të cilëve janë: Sokoli, Hani, Prifti, Habili, Lumi, Ali Pashë Gusia, Horaci, Xhemajl Kada, Gjergj Bardhi, e Rrahmani.

Aktorja Shëngyl Ismaili, e cila ishte edhe udhëheqëse e kësaj ceremonie tha se vepra dhe kontributi i madh i Xhevat Qorrajt, do të mbetet përherë pranë nesh.

“Me një pasion të jashtëzakonshëm, dhe një ndikim të thellë në skenën teatrore mbi 70 role të ndryshme në teatër dhe kinematografi. Ai na la në moshën 76 vjeçare, por vepra dhe kontributi i tij i madh do të jetë përherë pranë nesh”, ka thënë Ismaili.

Ai kishte lindur në vitin 1947 në Carrabreg të Deçanit, ku pas angazhimeve të shumta në fushën e teatrit, kinematografisë dhe televizionit ka vendosur rrënjët e talentit të tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që nga viti 1972 që në atë kohë quhej Teatri Popullor Krahinor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, aktorin Xhevat Qorraj e quajti yll të skenës teatrore, emri i së cilit do të mbetet burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme që do të ndjekin rrugën e artit dhe të pasionit të vërtetë.

“Me një figurë të veçantë, talent e përkushtim të jashtëzakonshëm, Xhevat Qorraj la një ndikim të thellë në skenën teatrore dhe ka fituar respektin e kolegëve dhe gjithë publikut. Përmes angazhimit të tij për të promovuar vlerat e artit dhe edukatës ai ka ndikuar në ndërgjegjen kulturore e të gjithë shoqërisë sonë. Emri i tij do të mbetet burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme që ndjekin rrugën e artit dhe të pasionit të vërtetë”, ka thënë Ministri Çeku.

Ministri Çeku po ashtu tha se Qorraj ishte anëtar i gjeneratës së parë të aktorëve të Kosovë, dhe njëkohësisht emër i njohur dhe i respektuar nga të gjithë.

“Xhevat Qorraj, shkëlqeu si një yll i skenës teatrore. Kontributi i tij i veçantë për artin dhe kulturën e Kosovës ka bërë që emri i tij të mbetet një shembull frymëzues për të ardhmen tonë. Xhevat Qorraj, anëtar i gjeneratës së parë të aktorëve të Kosovës është një emër i njohur dhe i respektuar nga të gjithë ata që që e kanë pasur kënaqësinë të përjetojnë veprat e tij. Ndërsa karriera e tij e gjatë dhe e pasur, ka përfshirë dhjetëra role në shfaqjet teatrore të shumta, po aq sa edhe rolet që i kemi përcjell përmes ekranit”, ka thënë Ministri Çeku.

Me një fjalë rasti, edhe djali i aktorit  Xhevat Qorraj, Luan Qorraj i falënderoi të gjithë të pranishmit që me prezencë kishin nderuar aktorin dhe familjen e tij, i cili duke e theksuar figurën e madhe të tij tha se kush nuk ka arritur ta njohë personalisht, besoj që e ka parasysh se çfarë ka humbur.

“Së pari i falënderoj Ministrinë, Teatrin, që kanë arritur për një kohë kaq të shkurtër të organizojnë këtë akademi dhe ta nderojnë Xhevatin. Gjithashtu falënderoj edhe familjarët dhe njerëzit që kanë gjetur kohë për të ardhur. Për të edhe mundet me u fol shumë,  dhe përsëri mos me u thënë asgjë. Kush e ka njohur, ose përmes punës ose personalisht e di për çfarë e kam fjalën. Kush nuk e ka njoftë, besoj e ka kuptuar se çfarë ka humbur. Ju faleminderit”, ka thënë Luan Qorraj.

Ndërsa regjisori Fdil Hysaj, i cili kishte qenë edhe student i aktorit Qorraj, ka thënë se Xhevat Qorraj ka qenë njeri i lirë i gjithë përmasave të tij, i cili ka dhënë kontributin e tij edhe në kohën e regjimit serb.

“Pavarësia e një intelektuali është ajo që regjimin e sfidon dhe e bën mos me u ndi rehat, sepse më vonë ato bëhen modele që mbijetojnë, do të thotë bërthama rebelimi filmash, bërthama e mendimit të lirë. Jeta e tij është skena, dhe vërtetë për të gjithë ata që e njohin, ka qenë një personalitet, një njeri i lirë i gjithë përmasave të tij. Asgjë patetitke nuk ka pasur në jetën e tij, e as në sjelljen e tij. Ka pasur një qasje ironike të madhe deri në ekstrem. Ka pasur një humor inteligjent deri në finesë që ka ditur si t’i qaset gjithësecilit. Nuk ka ditur t’i hidhërohet askujt dhe askush s’ju ka hidhëru atij. Ka ditur të bëj humor për të gjitha gjërat e mëdha, duke i zvogëluar deri në atë masë, që me na u duk vërtetë që paskemi qenë në një nivel patetik të trajtimit”, ka thënë profesori Hysaj.

Më tutje ai ka thënë se Xhevat Qorraj dhe kolegët e tij artistë të mëdhenj të asaj kohe, me punën dhe pasionin e tyre kanë bërë që Kosova të jetë e barabartë  me shtetet tjera në ish federatën Jugosllave.

“Sa vështirë është me qenë personalitet, një figurë e madhe kulturore, sikur ka qenë artisti Xhevat Qorraj, sikur kanë qenë plotë e gjithë artistësh të mëdhenj, që Kosovën e kanë bërë për tu ndier e barabartë në ish-federatën e fuqishme në atë kohë të Ish-Jugosllavisë”, ka thënë Hysaj.

Fjala më pasi i takoi udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, i cili tha se tha se krijimtaria e tij artistike që ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve, me fuqinë e tij të fjalës dhe prezencën e tij ikonike në skenë.

“Xhevat Qorraj është figurë që e njohim dhe e admirojmë të gjithë, e të gjithë këta janë dashamirë të artit teatror. Figurë shumë karizmatike, fjalëpak dhe siç e kam dëgjuar shumë prej kolegëve të tij që heshtja e tij në skenë fliste më shumë se 1000 fjalë. Fuqia e fjalës, prezenca ikonike e tij në skenë ka lënë gjurmë të veçantë në artin teatror dhe kulturën kombëtare. Xhevat Qorraj ka shënuar një udhë të mrekullueshme artistike që ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve”, ka thënë Mehmeti.

Ndërsa kolegu dhe shoku i të ndjerit, Xhevat Qorraj, Selman Lokaj ka recituar një poezi në nderim të mikut të tij, duke ndarë edhe kujtime nga karriera e tyre e përbashkët.

“Xhevati ka arrit të jetë artist i madh për arsye se që nga fëmijëria e ka pasur bazën e zhvillimit të të artit në shoqëri jo vetëm të skenës dhe kulturës para se me ardhë në teatër, e ka njohur mirë historinë e artit që nga antika e deri sot.

Meqë kemi qenë shumë të afërt, të afërt si shokë e kemi dëgjuar njëri-tjetrin për çdo gjë që na është dashur me luajtur në skenë. Me të kam luajtur pothuajse 80% të programit të teatrit dhe filmit kosovar.  Çdo gjë që është dashur ia kemi thënë njëri tjetrit, e kemi korrigjuar njëri-tjetrin, kritiku njëri tjetrin dhe dua të them se në periudhën më të vështirë”, ka thënë Lokaj.

Aktori i gjeneratës së parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Xhevat Qorraj vdiq më 23 gusht./KultPlus.com

Të ngjajshme