21 Gusht, 2025 - 5:20 pm
Aktorja fituese e çmimit Oscar dhe dy herë e çmimit Emmy, Patricia Arquette, e cila është sërish e nominuar këtë vit për rolin e saj si drejtuesja manipuluese Harmony Cobel në “Severance”, tha në një intervistë se fansat nuk do të presin “shumë gjatë” për rikthimin e serialit.
“E di që njerëzit kanë qenë shumë të duruar dhe mendova, ‘Oh, ata nuk do të presin aq gjatë sa për sezonin e dytë,’” tha ajo. “Por nuk mendoj se do të zgjasë aq shumë.”
Megjithatë, ajo shtoi me rezervë: “Por kurrë nuk i dihet. Sezoni i parë u pengua nga Covid, i dyti nga një grevë e madhe, kështu që nuk dimë çfarë na pret në këtë botë.”
Sezoni i dytë i “Severance” filloi në janar, pothuajse tre vjet pas sezonit të parë. Arquette tha se nuk ka parë ende një skenar për sezonin e tretë, por është në komunikim me shkrimtarët. Ajo theksoi se prodhuesit janë shumë të kujdesshëm për cilësinë dhe duan që gjithçka të jetë në nivel të lartë.
Sa i përket asaj se çfarë mund të ndodhë në sezonin e ardhshëm, Arquette qëndroi diskrete, duke thënë: “Kam disa informacione të brendshme, por kurrë nuk do t’jua tregoj.”
“Madje as miqve të mi më të ngushtë nuk u them asgjë,” shtoi ajo.
Ajo është e vetëdijshme për dëshirën e zjarrtë të fansave për më shumë rreth botës enigmatike të “Severance”. Lidhur me teoritë e shumta të fansave në internet, ajo tha se ka lexuar disa dhe i pëlqen shumë që njerëzit përpiqen të kuptojnë më tepër.
“Njerëzit janë të zgjuar, janë interesantë,” tha ajo. Por theksoi se disa teori janë “qesharake” dhe tërësisht të pamundura. “Kam lexuar disa që janë aq të pabesueshme, saqë pyes veten: nga e keni nxjerrë këtë?”
“Severance” kryeson këtë vit me 27 nominime për çmimet Emmy, përfshirë: seriali më i mirë dramatik, aktori më i mirë (Adam Scott), aktorja më e mirë (Britt Lower), aktori më i mirë në rol dytësor (John Turturro dhe Tramell Tillman), dhe aktorja më e mirë në rol dytësor (Arquette, e cila është gjithashtu producente e serialit)./CNN/KultPlus.com