25 Korrik, 2017 - 12:01 pm
Në kinemanë e hapur në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, mbrëmë ishte një atmosferë jo e zakonshme. Shumë qytetarë ishin mbledhur për të parë pesë filmat e artistëve shqiptarë nga diaspora, që do t’i sillte në edicionin e tretë me radhë, projeksioni filmik ‘Albanian Beauty’, i cili realizohet në kuadër të ‘Muajit të diasporës, shkruan KultPlus.
Realizimi i këtij projeksioni artistik është mbështetur nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, ku mbrëmë i pranishëm ishte edhe vetë ministri i kësaj ministrie, Valon Murati, i cili bëri hapjen e ‘Albanian Beauty’ 2017, dhe ftoi të gjithë të pranishmit të shijojnë filmat.
“Është kënaqësi që sot jemi këtu në edicionin e tretë të “Albanian Beauty”, një festival modest por shumë domethënës dhe përmbajtjesor, që sjellë filmbërsit tanë nga diaspora. Është kënaqësi që edhe këtë vit po e vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe besoj që do ta vazhdojmë edhe më tutje. Besoj se sonte do ta kemi një natë të bukur me këta pesë filma të shkurtër. Ju dëshiroj të gjithëve një natë të këndshme dhe të kënaqemi me filmat nga diaspora”, ka thënë ministri i Ministrisë së Diasporës, Valon Murati.
Me fillim prej orës 21:00, për 106 minuta, publiku pati mundësi të shohë pesë filmat e metrazhit të shkurtër, të autorëve shqiptarë të cilët jetojnë nëpër botë dhe të cilët në arenën ndërkombëtare përfaqësojnë kulturën shqiptare. Filmi i parë që u prezantua nga projeksioni ‘Albanian Beauty’ ishte ‘Qirak’ i autorit Jeton Troni, i cili trajton keqtrajtimin ndaj fëmijëve dhe të sëmurëve mendorë, por që në fund publikut i jep një fund të lumtur. I dyti film që erdhi në kuadër të këtij projeksioni, ishte ‘Një pikë gjaku’ i regjisorit Bekim Guri, me të cilin pas shfaqjes së filmit, KultPlus ka realizuar një bisedë rreth filmit.
Filmi ‘Një Pikë Gjaku’ i cili është duke marrë pjesë edhe në ‘International Human Rights Film Festival’ në Shqipëri, sjellë historinë e një familje shqiptare, e cila ballafaqohet me traditën dhe modernen. Prek tema si martesën e dhunshme, virgjinitetin si një tregues të moralit në shoqërinë tonë, dhunën seksuale brenda familjes.
‘Kjo është hera ime e dytë që unë marrë pjesë në ‘Albanian Beauty’. Vitin e kaluar kam marrë pjesë me filmin ‘Heshtje’. Ndihem mirë kur prezantoj punën time në Kosovë, sepse takon njerëz të profesionit, kolegë e familjarë. Reagimet nga publiku janë të ndryshme, por kritikat ndaj punës sime kryesisht kanë qenë të mira, sepse filmat e mi kanë të bëjnë me vendin tonë, dhe njerëzit këtu i kuptojnë, sepse kanë të bëjnë me fenomene të shoqërisë sonë’, ka thënë regjisori i ‘Një Pikë Gjaku’, Bekim Guri.
Bekim Guri i cili vjen nga fshati Nikaj në Kaçanik dhe jeton në Gjermani, ka treguar se qëllimi i tij në filmat që bënë, çdoherë ka qenë trajtimi i temave tabu të shoqërisë sonë. Ai për KultPlus ka treguar se si ka ardhur deri te ideja e filmit ‘Një Pikë Gjaku’, i cili deri më tani është prezantuar në 30 festivale dhe ka fituar tre çmime.
‘Ideja e filmit ‘Një Pikë Gjaku’ ka ardhur duke dëgjuar histori për zakonet, traditat e vendit tonë të cilat çdoherë më kanë bërë përshtypje. Në këtë film kam dashur të paraqes gjininë mashkullore në vendin tonë, mentalitetin e tyre, dëshirën e tyre për udhëheqje, për të cenuar lirinë familjarëve të tyre’, ka thënë Bekim Guri.
Filmat tjerë që solli edicioni i tretë i projeksionit artistik ‘Albanian Beauty’ ishin edhe filmat ‘Toka’ me autor Ibër Deari, ‘Smajl’ i autores Zymryte Hoxhaj & Philipp Majer dhe ‘Head’ e Fisnik Maxhuni dhe Alain Guillebeau.
Organizatori i ‘Albanina Beauty’ Afrim Muçaj, pasi u shfaqën filmat u shpreh shumë i kënaqur me realizimin e këtij projeksioni, pjesëmarrjen e publikut, si dhe prezencën e disa prej regjisorëve të filmave të cilët u shfaqën.
‘Ka qenë një punë e madhe, ka një muaj e gjysmë që kemi punuar për të realizuar këtë natë, unë si organizator i këtij projekti jam shumë i lumtur dhe mendoj dhe besoj që kemi arrit të bëjmë një punë shumë të mirë, por ia kemi dalë edhe me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës. Përshtypjet e para se kemi arrit me i marrë deri tash kanë qenë shumë të mira, kanë qenë shumë falënderuese ndaj neve që i kemi sjellë këta filma sonte këtu në kinemanë e hapur’, ka thënë Afrim Muçaj për KultPlus.
Edhe ministri i Ministrisë së Diasporës në Republikën e Kosovës, Valon Murati u nda shumë i kënaqur me realizmin e projeksionit artistik ‘Albanian Beauty’. I pyetur nga KultPlus se a do të vazhdojnë të përkrahin edhe viteve tjera realizmin e këtij projeksioni ai tha se do të vazhdojnë dhe kjo ngjarje tashmë është bërë tradicionale edhe për ministrinë që i udhëheq dhe ndoshta në të ardhmen ky projeksion do të zgjerohet dhe do të shndërrohet edhe në festival.
‘Filmat ishin goxha të mirë. Kjo realisht është një dëshmi e larushisë së diasporës sonë. Edhe qëllimi i aktiviteteve të tilla është për të prezantua diasporën edhe tërë kompleksitetin e saj. Çdoherë e më shumë shqiptarët kudo që po jetojnë, po krijojnë vlera në art, kulturë, politikë, biznes, arsim, jetë akademike, sport etj. Tashmë është duke bërë edhe tradicional ky projeksion, po shpresoj që të vazhdoj dhe ndoshta do të bëhen përpjekje që viteve të tjera të kthehet në festival pse jo. Qytetarët tanë kanë nevojë të shohin më shumë diasporën tonë, krijimet e njerëzve tanë atje por edhe artistët tanë në diasporë kanë nevojë që ti shfaqin krijimet në atdheun e tyre, ka thënë për fund ministri Valon Murati./ Gentianë Morina /KultPlus.com