18 Korrik, 2025 - 3:53 pm
Milcho Manchevski, një nga regjisorët më të njohur në Ballkan, fitues i mbi 50 çmimeve ndërkombëtare, nisi xhirimet e filmit “Leaving Copacabana”.
Përmes Tirana Film Institute, në bashkëpunimin e dytë me Banana Film dhe regjisorin Milcho Manchevski nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria merr pjesë në këtë produksion si bashkëprodhuese.
Filmi rrëfen historinë e një motre dhe një vëllai me karaktere të ndërlikuara dhe shumëdimensionale, të cilët përballen me sfidat e jetës në një shoqëri thellësisht të ndarë mes privilegjuarve dhe të pambrojturve.
Disa prej aktorëve protagonistë janë Sara Klimoska, Filip Trajković, Petar Mirčevski, Sonja Mihajlova, Dejan Lilić.
“Leaving Copacabana” është një bashkëprodhim mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Serbisë, Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.
Milcho Manchevski është një emër i njohur në fushën e kinematografisë. Ai ka fituar një Luan të Artë të Venecias si dhe është i pari regjisor maqedonas që u bë kandidat për çmimet Oscar. Filmi i tij “Before the rain” konsiderohet si një ndër filmat më të rëndësishëm të dekadës.
Manchevski ka patur bashkëpunime me Tirana International Film Festival, ku janë shfaqur filma të tij. Në TIFF-in e para dy vjetëve, Manchevski solli në Tiranë, filmin e tij premierë “Kaymak”./KultPlus.com