Shteti i Kosovës ndanë vetëm 15 mijë euro për filmin “Zana”, me këtë shumë synon Oscar

15 Nëntor, 2019 - 1:22 pm

Ekipi i filmit “Zana” ka nisur fushatën promovuese për çmimin prestigjioz “Oscar”. Por këtë vit, për dallim nga vitet e kaluara, janë 5 mijë euro më pak. Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet ka ndarë 15 mijë euro, edhe pse ishte paralajmëruar se mund të ketë rritje të përkrahjes për këtë fushatë për kandidatin e Kosovës drejt “Academy Awards”.

Ani pse me buxhet të zvogëluar, producenti i filmit, Casey Cooper Johnson, ka thënë se i janë përveshur punës për të promovuar filmin para votuesve të Akademisë dhe anëtarëve të industrisë së filmit. Ai, po ashtu, ka thënë se janë duke shfrytëzuar edhe lidhjet e tyre personale që kanë në këtë industri.

Filmi “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, është i përzgjedhuri i Kosovës si kandidat për t’u nominuar për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj (jo anglisht). Kësisoj, Kosova do të bëjë fushatë për rrëfimin e traumave të pasluftës. Premiera botërore e “Zanës” ishte dhënë më 7 shtator në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Është një dramë ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji. Filmi shpërfaq historinë e Lumes (Adriana Matoshi) dhe burrit të saj Ilirit (Astrit Kabashi). Lumja e ndjekur nga ankthet e natës dhe nga dështimet e shtatzënësisë, dërgohet te magjistarë të ndryshëm ritualesh të pazakonshme me qëllim që ta shërojnë nga magjia e zezë, mirëpo kur ajo mbetet shtatzënë, kujtime të errëta nga koha e luftës do të kthehen duke i ndjekur atë dhe fëmijën e palindur.

Producenti i filmit, Casey Cooper Johnson, në lidhje me buxhetin e ndarë ka thënë se realizimi i pavarur i filmave është gjithmonë punë me kufizime buxhetore dhe duhet bërë më të mirën me ato u jepen në dispozicion…

Të ngjajshme