Suksesi i “Shpia e Agës”, momentumi i filmit kosovar

6 Shtator, 2020 - 11:00 am

Nga Ballsor Hoxha

Në të vërtetë filmi është trend, po ashtu, si gjithë krijimi dhe dinamika njerëzore, e shprehur në format e saj; p.sh.krahasuar këtu individualen e regjisorit të mirënjohur kosovar Isa Qosja, të vetmin të mirënjohur globalisht në përmasat e tij për kohë të gjatë; pastaj, filmin, në përgjithësi, të Visar Morinës, me suksesin e tij të fundit “Exile” si vepër e sofistikuar kinematografie bashkëkohore, dhe në këtë sidomos filmin e regjisores së mirënjohur kosovare, tanimë edhe globalisht Lendita Zeqiraj, jetësimi i ndërmarrjeve të tyre filmike, pranimi, dhe transmetimi i tyre në arenat ndërkombëtare, janë krejtësisht të varura nga trendi i ndërtimit kinematografik. Individualizmi i Qosjes, sofistikimi bashkëkohor i Morinës, dhe përpjekja/kërkimi në origjinalen tek Zeqiraj janë gjithnjë në raport me manistream të përjetimit dhe të çmuarjes së filmit në sistemin vlerësues bashkëkohor. Filmi është në dinamikë me diskursin, debatin dhe intrigën globale, dhe në këtë është peng i të qenit në mainstream të tyre, të flas gjuhën e mainstream dhe të realizoj idenë e trendit bashkëkohor.

Filmi “Shpia e Agës” ka arritur të jetë në qendër të vëmendjes qoftë globalisht dhe qoftë në Kosovë. Ai ka krijuar gjuhën, shprehjen kinematografike, idenë dhe realizmin bashkëkohor ndërkombëtar, të pranueshëm ndërkombëtarisht, dhe të konfirmuar ndërkombëtarisht.

Arritja e këtij filmi është e madhe, gjigante, është të folur të Kosovës ndërkombëtarisht me gjithë seriozitetin e të folurit në fushën e tij. Është përmbajtje dhe realizim i cili arrin shprehje më të lartë kulturore – filmin, si të barabartë me realizimet gjigante në përvojë dhe fonde. Është në të vërtetë arritje për të bartur përvojën kosovare tutje në përjetim dhe jetësim të çmuar krahas gjigantëve dhe gjigantësisë së industrisë së filmit.

Si e arrin ky film këtë? SI është një shpërthim tutje i kinematografisë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi? Ajo që bie në s mbi të gjithë është se janë disa shtresa kinematografike që e bëjnë këtë film të kapshëm, tërheqës dhe ndërtim kinematografik bashkëkohor.

Në shtresën e parë të filmit “Shpia e Agës” lidhur me ndërtimin e tij bashkëkohor duhet mirënjohur aftësinë mjeshtërore të regjisores dhe skenaristes Lendita Zeqiraj për të kapur në skenar jetën duke ndodhur. Pa premtimin ideologjik dhe pa premtimin autokratik.

Skenari i Zeqirajt është ndërtim masiv i idesë dhe kontekstit të saj. I lirë në thurjen dhe shthurjen e tij deri në liri të të jetësuarit dhe të bartjes së lexuesit në përjetim të një jete, botëkuptimi dhe përjetimi të shoqërisë sonë, e cila krijon habinë dhe mundësinë e njohjes së të përditshmes. Në të vërtetë në këtë skenar ajo del krejtësisht e panjohur, në thellësinë e tij, e paparë nga ne dhe e pa përjetuar nga ne. Është skenar i të panjohurës së përditshme dhe të përditshmes, e cila në të vërtetë kalon në univers të vetin përmes ndërtimit mjeshtëror skenarist, në përjetim krejtësisht çlirues dhe përndritës të jetës nën vëzhgim dhe studim të skenarit.

Në shtresën tjetër është doemos i pakrahasueshëm filmi i Zeqirajt në punën e saj me aktorët/aktoret e filmit. Që prej Melihate Qena që rikrijon atë që ka humbur në realen e sotshme, që krijon gruan e një historie të pathënë kurrë në kinematografinë dhe as në artin dhe humanizmin tonë; pastaj të Adriana Matoshit, e cila luan guran e gjeneratës së mesme të shoqërisë sonë, që në ndërthurjen e të qeshurës së saj dhe të vuajtjes së saj (me tërë historinë e saj tejet të rëndë në skenarin e filmit) hapë me aktrimin e saj serioz para shikuesit tërë tragjedinë e kësaj gruaje (jo personazhit). Përmes kësaj loje të aktrimit të saj, Matoshi hapë njohjen e gruas që e jeton pandryshueshmërinë e fatit në vetë pandryshueshmërinë e vuajtjes, pakthyeshmërinë e saj.

Pastaj aktorja Rozafa Çelaj, e cila i afrohet më së afërmi asaj që njihet gjuha e brendshme e skenarit dhe më tutje shfaq edhe deluzionin e femrës së “pa plan”, të pa ardhmëri, të “Pjellur për t’u ngulur diku”, etj, dhe po ashtu një prej aktrimeve më të bukura në kinematografinë tonë e që është – ekstaza e gruas në tërë lumturinë e saj të shkëputur nga fati shoqëror. Ekstaza në fjalë del e prekshme, e kapshme dhe e jetësuar deri në intimitet të përafruar në reale e cila të bën të njohësh gruan në një pamje krejtësisht të lirë në këtë shkëputje prej fatit shoqëror por edhe nihilist të jetës së po të njëjtës. Dhe në fund Shengyl Ismaili e cila bartë tërë bukurinë e qëndrueshmërisë së gruas përballë pandjeshmërisë së burrit, tërë pandjeshmërinë e jetës, dhe tërë pandjeshmërinë e fatit – shkëputur nga shoqëria, duke pas përbrendësuar pikërisht burrin brenda vetit dhe duke krijuar rendin në kaosin e një shtëpie të lëçitur përjetë në tërë të pandreqshmen e këtyre grave. Dhe asnjëherë duke mos harruar Rebeka Qenën e cila luan dhe mishëron rrënjësisht qoftë në gjuhë, në sjellje dhe në tëhuajsim jetën e një të huaje.

Në të vërtetë këto aktore krijojnë një jetë të tërë në hierarkinë e kësaj shtëpie të Agës, të lëçitur zotit pas shpine, dhe e bartin dramën natyrshëm në një bashkëveprim i cili arrin të krijoj habinë kinematografike dhe habinë e njohjes së njeriut, qoftë ai/ajo e paramenduar si e njohur. Arrin të shpërfaq diçka që në të vërtetë e kemi përballë dhe kudo, por që na vjen në një dritë të re, të ndryshme, dhe të pakrahasueshme me historinë tonë kinematografike, dhe na përballë me panjohurinë tonë ndaj gruas në përgjithësi, dhe po ashtu edhe me një grua që jetëson vuajtjen në tërë ndryshueshmërinë e jetës.

Dhe, në përfundim, shtresa e tretë e arritjes së filmit “SHpia e Agës”, e që është regjia e Lendita Zeqiraj, e cila prapë ngrit çërshtjen e trendit të shprehjes filmike, debatit të kinematografisë botërore, dhe të ndërtimit bashkëkohor.

Regjia e Lendita Zeqiraj është përpjekje dhe kërkim në origjinale. Është kërkim dhe studim i kontekstit kosovar përmes gruas në tërë krijimtarinë e saj (përpos filmit Ballkoni). Është prerje dhe përkufizim i idesë dhe realizimit kinematografik në pavarësi prej debatit dhe mendësisë dhe vetëdijes kolektive, është në të vërtetë ballafaqim me kolektiven.

Regjia e Zeqiraj në “Shpia e Agës” është ndërtim kinematografik i cili ndërton në mënyrë masive universin real të filmit të tij. Është hetim dhe studim jo vetëm i natyrës së gruas, por edhe të gjuhës së saj (të panjohur për burrin së paku). Dhe studim gaze (shikimit) të gruas. Në këtë të fundit, gruaja kalon nga objekti në tërë ekstazën, tragjedinë, vuajtjen socializimin ndërnjeërzor, epshin dhe traditën e saj, por gjithnjë në pamjen (gaze) të saj të zhveshur nga autokracia dhe patriarkalizmi qoftë ai industrial i filmit dhe qoftë ai i përditshëm. Në të vërtetë në regjinë e Zeqiraj pamja (gaze) e gruas del edhe e shthurur deri në grua të panjohur nga ne (për shkak të vërtetësisë së regjisë), e deri tek gruaja burrë, e cila nuk di as nuk ka natyrën dhe ndërtimin e saj femëror por e luan burrin brenda vetes së saj (aktrimi i shkëlqyeshëm i Shengyl Ismailit).

Këto tri shtresa, skenari, kimia e aktoreve të këtij filmi, dhe regjia, në “Shpia e Agës” të Lendita Zeqiraj, si realizim i prerë shpërfaqin habinë e shikuesit me jetën në tërësi, dhe me gruan në veçanti, por edhe e hapin konfliktin e debatit të gruas sot dhe në bashkëkohësinë tonë, në tërë realen e gjendjes së tij, në tërë pakthyeshmërinë e vuajtjes së saj, në tërë të “pandreqshmen” e saj.

Duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, lidhur me trendin e jetësimit dhe përjetimit të filmit, dhe bashkëkohësisë së realizimit të filmit, regjia e Zeqiraj është regji e cila në kërkimin e saj të origjinales arrin të ndërtoj të renë përmes shpërfaqjes reale të kontekstit. Në të vërtetë regjia e Zeqiraj është reale, e prerë në brenda universit të saj, dhe e ndërthurur deri në perfeksion në kinematografinë, kamerën dhe idenë e saj. Pikërisht kjo duke e bërë të kapshme, edhe brenda trendit bashkëkohor të kërkimit të origjinales dhe habisë së jetës, e edhe të përkufizimit ideor të filmit të saj në dinamikë me debatin global të filmit, ky debat duke pasur në fokus konfliktin dhe pikëvështrimin e ndërnjerëzores, sidomos atij të gruas në bashkëkohësinë tonë.

Filmi kosovar, me tre regjisorët e cekur (Qosja, Morina dhe Zeqiraj në përgjithësi) krijon qëndrueshmërinë e vlerës dhe të shprehjes kinematografike kosovare, qoftë në raport me trendin në regjinë e sofistikuar sipas Morinës, qoftë në individualen Qosjeane, dhe qoftë në origjinalen e konfliktit në regjinë e Zeqiraj.

Por në raport me trendin, në raport me dinamikën e debatit kinematografik bashkëkohor global, çka kumton filmi kosovar? Kjo është çështje e cila po konfirmohet, po e gjen aprovimin, po e përballon trendin, por edhe po krijon shprehjen kinematografike. Por a është momentum i cili ka krijuar qëndrueshmërinë e tij, ka karakteritsikën e tij, ka origjinën e tij, apo është krijim individual. Megjithatë ai është në debat, është në mainstream të debatit, është gjuhë e mainstream dhe kinematografi e mainstream të sistemit të konfirmues të vlerave globale në kinematografinë serioze (jashtë komerciales).

Sidoqoftë, suksesi i fundit i Morinës, sukesesi i Zeqiraj, dhe i Qosjes në veprimtarinë e tij të gjatë, është në të vërtetë të folurit të gjuhës së kinematografisë globalisht. Të krijuarit të kinematografisë së të pathënshmes së kontekstit kosovar. Të ndërtimit të një kinematografie të një shoqërie e cila vuan dramë të pafundme e shprehje krejtësisht të kufizuar globalisht. / KultPlus.com

Të ngjajshme