23 Korrik, 2025 - 12:00 pm
Filmi “Sytë e Bernës” me regji nga Ermal Gërdovci dhe skenar nga Patrik Lekaj, do ta ketë premierën e tij në edicionin e sivjetmë të Sarajevo Film Festival.
Filmi është prodhim i kompanisë Kandërr, në bashkëprodhim me Filmik dhe Sloboda Film, me producente Trëndelina Halili, ndërsa bashkëproducente është Marija Dimitrova.
Në rolet kryesore luajnë: Arta Selimi, Tristan Halilaj, Ervin Shala, Gramos Malaj dhe Altin Vraniqi.
Filmi është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Sytë e Bernës është një rrugëtim psikologjik drejt zemërimit, të kaluarës dhe një katarsisi të errët. E përndjekur nga trauma dhe e rraskapitur nga pagjumësia, Berna zhytet në vizione të dhunshme ku kufiri mes reales dhe hakmarrjes zhduket.
Filmi është pjesë e Competition Programme – Short Film dhe do të konkurrojë në mesin e 10 filmave të tjerë të përzgjedhur në këtë kategori.
Urime dhe suksese të gjithë ekipit në vazhdim!/ KultPlus.com