‘Vdekja e kalit’ përzgjedhet mes 20 filmave evropianë

31 Mars, 2022 - 3:30 pm

“Vdekja e kalit” mes 20 filmave evropianë, që do shfaqen në kanalin arte.tv.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se shfaqja e këtij filmi është një ngjarje për kinemanë tonë dhe një nxitje për të ecur më tej në procesin e restaurimit dhe promovimit të filmit shqiptar.

“Një nga filmat më të rëndësishëm shqiptarë për ndërrimin e sistemeve “Vdekja e kalit”, prodhimi i vitit 1992, me regji të Saimir Kumbaros, i restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me bashkëpunimin e Audio-Video-Film, Shai Drori dhe ACE – Association des Cinémathèques Européennes, është përzgjedhur mes 20 filmave evropianë që do të shfaqen falas për publikun, në programin “ArteKino Classics”, në kanalin arte.tv, subtitruar në 6 gjuhë, me mbështetjen e Creative Europe”, tha Margariti.

Bazuar në një histori të vërtetë, “Vdekja e kali” ka veçantinë e të qenit drama e parë filmike shqiptare e realizuar pas rënies së regjimit komunist. Filmi është realizuar në vitin 1992 dhe mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro e skenar të Nexhati Tafa.  Në film interpretojnë Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Tinka Kurti, etj./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme