“Vulë” fiton çmim në festivalin ndërkombëtar të filmit

3 Janar, 2021 - 8:58 pm

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Lake City International Film Festival, shkruan KultPlus.

Përderisa “Vulë”  iu shtua edhe një çmim tjetër nëpërmjet edicionit të 8-të këtij festivali që këtë vit u mbajt online, regjisori Valmir Tertini ka jepur detaje për KultPlus rreth të arriturave të deritanishme të filmit.

“Vulë” deri më tani ka 2 çmime për skenarin më të mirë, 3 për regjinë më të mirë, 2 për filmin më të mire të shkurtër dhe 1 për aktoren më të mirë”, shprehet Tertini.

Tutje ai tregon se “Vulë” do të vazhdoj rrugëtimin edhe nëpër Festivale të tjera.

“Deri më tani kemi dhe disa selektime, ku i radhës është Everest Film Festival, i cili do të mbahet në janar të këtij viti”, tha Valmir Tertini.

“Vulë” flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. Ky është çmimi i 8-të i këtij filmi. / KultPlus.com

Të ngjajshme