10 shtatori shënon Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes

10 Shtator, 2022 - 5:34 pm

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, e shënuar më 10 shtator të çdo viti, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje në nivel global.

Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik; në shumicën dërrmuese të rasteve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje.

Që ndërhyrjet të jenë sa më efektive, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim multisektorial në hartimin e strategjive.

Kjo ditë na sjell në vëmendje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes.

Krijimi i një bote ku ofrohet kujdes dhe mbështetje, ku ofrohet dëgjim pa pargjykim, mund të bëjë diferencën e madhe.

Këto vlejnë veçanërisht për specialistët, të cilët duke pikasur individë me probleme në komunitet, mund të parandalojnë situata më komplekse, përfshirë vetëvrasjen. Individët që kanë përjetuar apo tentuar vetëvrasjen mund t’u mësojnë të tjerëve sesi fjalët dhe veprimet janë shumë të rëndësishme për ata, të cilët ndodhen në këtë situatë.

Shpesh, këta individë pranojnë se në ato kohë të errëta, do donin shumë që dikush të fliste me ta e t’i shpëtonte. /KultPlus.com

Të ngjajshme