20-vjeçari ndërpreu shkollën për shkak se nuk mund të dilte nga banesa

28 Shtator, 2019 - 8:45 pm

Leonard Mema 20 vjeç, ka braktisur shkollën që në klasë të pestë, pasi pallati i vjetër ku banonte nuk kishte ashensor dhe prindërit se ngrinin dot në krahë.  Katër vite më parë, bashkia e Durrësit i dha familjes Mema shtëpi në kompleksin e banesave sociale të ndërtuara në zonën që njihet si Ujësjellësi, por Leonardi sërish është “ngujuar” brenda mureve të apartamentit pasi nuk ka as rampë e as ashensor.

Leonardi është një djalosh 20 vjeçar nga Durrësi, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij është i detyruar të “ngujohet” brenda katër mureve të apartamentit modest të familjes së tij. I ndrojtur, por i etur për të lexuar libra, Leonardi refuzon çdo kontakt me botën e jashtme.

“Nuk ka qenë kështu, shkak është bërë ndërprerja e shkollës”, – na tregon Sokoli, babai i Leonardit. Leonardi, është detyruar të ngujohet në shtëpi, për shkak të mungesës së infrastrukturës në rrugët dhe institucionet arsimore në qytetin e Durrësit.

“Deri në klasë të pestë ishte e ëma që e çonte në shkolllë dhe e ngrinte edhe karrocën, por me rritjen e djalit, edhe ajo e kishtë vshtirë që ta lëvizte. Shto këtu që ne jetonim në një pallat, në katin e tretë dhe ishte e vështirë ta ngjisje dhe ta zbrisje çdo ditë pa ashensor, pasi pallati ku jetonim nuk kishte rampa”, rrëfen Sokoli.

“Edhe pjesa më e madhe e rrugëve në Durrës janë problematike, duhet patjetër të jetë një burrë që ta shtyjë karrocën se të dalësh në rrugë është tmerr i vërtetë, por une jam në pune” – thotë ai.

Të gjendur në këtë situatë, ata janë detyruar që Leonardin ta shkëpusin nga shkolla. “Kjo e ka vrarë shumë, është bërë tip i mbyllur, nuk pranon të dalë nga shtëpia, flet rrallë, por vazhdon të lexojë me qejf…Nëse do të kishim mundësi, dëshira më e madhe e tij mbetet shkolla, por ne jemi në kushte mbijetese”, – rrëfen jo pa brenga Sokoli.

Me tre fëmijë, dhe me bashkëshorten që duhet të jetë gjithmonë në shërbim të Leonardit, familja Mema e ka të vështirë të përballojë jetesën.  Ata marrin një ndihmë ekonomike për sëmundjen e të birit, por ato që marrin janë thuajse të pamjaftueshme për të përmbushur edhe nevojat më bazike që ai ka.

“Ai është një djalë 20 vjeçar dhe merr diku te 20 mijë lekë në muaj, e çfarë mund të bëjmë ne për të përmbushur nevojat e tij me kaq lekë? Se për dëshira, për argëtim…për një fundjavë në film, teatër apo kinema, apo piknik as që bëhet fjalë”, – ngre shqetësimin Sokoli.

Por problemet nuk morën zgjidhje për familjen Mema, as para 4 vitesh kur u futën në shtëpinë e re që e morën nga fondi i banesave sociale në lagjen nr 17, të njohur ndryshe si Ujësjellësi.

“Edhe pse jemi në katin e parë të banimit, sërish djali është izoluar, pasi për të arritur në katin e parë, ka thuajse 10 shkallë për tu ngjitur, gjë që e bën thuajse të pamundur që djali të ngjisë dhe të zbresë karrocën…Nuk e di se si e kanë menduar, kur i kanë ndërtuar. Ndërkohë që këto banesa janë të reja, vetëm 4-vjeçare, nuk janë të pajisura me rampë apo infrastrukturë ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar”, – shpjegon ai.  “Si pasojë djali prapë i mbyllur në shtëpi qëndron”, – thotë i pashpresë Sokoli.

Altin Hazizaj, mbrojtës i të drejtave të fëmijëve, me profesion jurist e konsideron absurde “një ngujim” të tillë.  “Kjo është lehtësisht e zgjidhshme, nëse bashkia nuk ka planifikuar rampën kur e ka ndërtuar objektin, gjë që është krejtësisht faji i urbanistëve, të paktën ti vendosë një rampë provizore prej dërrase apo hekuri që djali të mos izolohet. Kaq është minimalja që mund të bëhet, jo vetëm për këtë rast, por për të gjithë ata që kanë kushtëzim vetëm mobiliteti”, – sqaron ai, duke marrë si shembull edhe ligjin për “urbanistikën” i ndryshur më 2010-ën, i cili përcakton se si duhet të jenë të gjtha ndërtimet, në mënyrë që të ofrojnë akses për të gjithë.

Ai madje konsederon absurde edhe faktin që persona që vujanë vetëm për çështje mobiliteti, të detyrohen në ngujohen në shtëpi gjithë jetë dhe të jetojnë me “lëmoshën” e ndihmës ekonomike, kur fare mirë mund të bëhet një individ aktiv për shoqëronë. “Djalit mund ti ofrohen kurse profesionale dhe ai fare mirë mund të jetë një sekretar në një institucion publik”- sugjeron Hazizaj.

Vetë bashkia e Durrësit sqaron se ka pasur ndërhyrje të konsiderueshme në infrastrukturë për të përmirësuar aksesueshmërinë, por problem mbeten godinat. “Mund të jemi ndër bashkitë më të mira në vend, sa i përket ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore, por jemi të vetëdijshëm se problem mbeten godinat, sidomos ato që janë të vjetra.

Jemi njohur me problematikën në rastin konkret, por ky është një rast që kërkon zgjidhje të studiuar dhe në po bëjmë përpjekje që të mund të kemi një plan të gjërë masash për të ndërhyrë në të gjitha godinat, që kanë funksion publik”, – thonë burime zyrtare nga bashkia e Durrësit.

Pakënaqësive për mënyrën se si janë ndërtuar banesat sociale, kryefamiljari Mema i shton edhe dëmtimet e fundit që ata pësuan nga tërmeti. “Një pjesë e murit është çarë komplet! Ishim me fat që nuk i ranë djalit sipër”, – sqaron Sokoli.

Sa i përket këtij problemi bashkia Durrës thotë se qytetari duhet të shkojë në njësinë administrative të tij dhe të raportojë situatën. “Në këtë rast zgjidhja është e menjëhershme, por qytetari duhet të raportojë në njësinë administrative. Madje nëse ka nevojë ai mund të përfitojë edhe ndihma ushqimore apo veshje” – na thonë zyrtarisht nga bashkia e Durrësit.

Adivije Hoxha, kryetare e shpoqatës së para dhe tetraplegjikëve për Durrësin thotë se ndonëse çdo vit ata trokasin në çdo derë të mundshme, sërish kjo kategori vazhdojnë e vujanë nga probleme më minimale, siç është aksesueshmëria. “Vendparkimet, trotuaret, shkollat…janë vetëm një nga një milionë pengesa që kjo kategori haset çdo ditë. Ka përmirësime aty këtu, por nuk mund të thuash që kam bërë një trotuar, kur ai tjetri ngjitur nuk është i përshtatshëm, për karroca. Kemi marrë shumë premtime, por ne duam zgjidhje konkrete”, – na thotë Adivija. /Gazeta Shqip /KultPlus.com

Të ngjajshme