50 vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave, Rama: Gjuha shqipe është e kërcënuar nga një injorancë e pashembullt

10 Tetor, 2022 - 1:22 pm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shënon sot 50-vjetorin e themelimit. Që prej datës së themelimit të saj, më 10 tetor të vitit 1972, ASHSH u kthye në një qendër elitare të zhvillimit të kërkimit shkencor, krahas veprimtarisë kërkimore universitare, duke e shtrirë veprimtarinë e saj në të gjitha fushat e dijes.

Festimet jubilare të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të zgjasin tre ditë. Ato nisen dje dhe do të vazhdojnë deri më 11 tetor 2022.

Ditën e djeshme u bë pritja e delegacioneve akademike nga rajoni e Europa, të cilët pasdite ndoqën një shfaqje baleti në Teatrin e Operës.

Sot, veprimtaritë nisën herët me ceremoninë e nderimit pranë busteve të dy akademikëve themelues Aleks Buda dhe Eqrem Çabej dhe me pas Konferenca jubilare kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave, në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Më pas, fjala e rastit e akad. Skënder Gjinushit, si dhe fjalimet përshëndetëse të akad. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ministres Kushi, të presidentit të ALLEA-s, akad. Antonio Loprieno si dhe e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se të gjithë akademikët pavarësisht bindjeve, simpative nën çatinë e Akademisë të ndjehen pjesë e së njëjtës mënjanësi.

Sakaq, ai ngriti një shqetësim lidhur me “shpërdorimin” e gjuhës shqipe. Sipas kryeministrit historia dhe gjuha shqipe janë të kërcënuara si kurrë më parë nga një injorancë e pashembullt.

Rama: Sot jemi në kushte kur kemi ringritur një qendër për botimet albanologjike enciklopedike. Enciklopedia shqiptarëve, historia e shqiptarëve dhe fjalori i madh i gjuhës shqipe janë tresfida të mëdha në tre drejtime ku Shqipëria, jo vetëm vendi por kombi ynë janë të kërcënuara. Është e kërcënuar historia e shqiptarëve nga një injorancë dhe nga një arrogancë e pashembullt që për shumë vite e ka kthyer mënjanësinë e Akademisë së shkencave në një territor anësish politike dhe në një arenë ekstremizmash që gjejnë rrugë për shkak se bota e informacionit nuk ka respekt për asnjë hierarki të dijes. Sot jemi akoma në kushtet kur është e pasigurt nëse mundët apo jo që ta shkruajmë një histori të shqiptarëve që të jetë e gjithë shqiptarëve.

Sot gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë. Gjithë ato që thuhen dhe ndërmerren kundër gjuhës shqipe në rendin e pavërtetë akademik, pseudoakademik janë vetëm maja e një ajsbergu që po e gërryen gjuhën shqipe nga poshtë përmes shpërdorimit total të saj. Askush nuk e ka mendjen sa saktë i shkruan fjalët, por e ka mendjen të bëhet “send” sa më shpejt. Besoj që gjuha e unifikuar shqipe është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama tha se sot jemi shumë larg asaj që mund të ishim në rast se do të ishte garantuar vijimësia e Akademisë së Shkencave dhe “në rast se mes të djeshmes dhe të sotmes, nuk do të kishte hyrë në mes një e sotme ku vuglu i politikës dhe kryengritja e injorantëve nuk do të kishin bërë gjithë atë kasaphanë që bënë me gjithë rrjetin e dijes.” / KultPlus.com

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama tha se sot jemi shumë larg asaj që mund të ishim në rast se do të ishte garantuar vijimësia e Akademisë së Shkencave dhe “në rast se mes të djeshmes dhe të sotmes, nuk do të kishte hyrë në mes një e sotme ku vuglu i politikës dhe kryengritja e injorantëve nuk do të kishin bërë gjithë atë kasaphanë që bënë me gjithë rrjetin e dijes.” / KultPlus.com

Të ngjajshme