Akademitë e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë së bashku në një konferencë shkencore

6 Tetor, 2023 - 9:30 pm

Sot në Prishtinë është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ekononomik Kosovë- Shqipëri dhe rajon” organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Konferenca u çel nga akad. Justina Shiroka-Pula dhe akad. Anastas Angjeli. Më pas fjala iu dha akad. Skënder Gjinushit, i cili tha se bashkëpunimi midis kërkuesve e studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës është i domosdoshëm në të gjitha fushat e shkencës e që tani është kthyer në një praktikë pozitive midis dy akademive.

Kapacitetet intelektuale e logjistike modeste, përvojat e pakta në shumë fusha të reja, financimi i ulët për kërkimin shkencor në raport me PBB, e bëjnë të këshillueshëm e të detyrueshëm një bashkëpunim mes dy akademive.

Sipas kryetarit të ASHSH, Gjinushi, integrimi europian ka nisur si nevojë e integrimit ekonomik; ky proces në të cilin janë përfshirë dhe Kosova e Shqipëria dhe globalizimi i përgjithshëm, imponojnë një bashkëpunim në rritje jo vetëm me vendet e rajonit e ato evropiane, por më së pari, mes nesh.

“Ne na duhet t’i paraprijmë integrimit tonë europian me integrimin tonë të brendshëm, si treva të botës shqiptare, në të gjitha fushat, por veçanërisht e me përparësi në rrafshin ekonomik, duke pasur si objektiv orientues “Dy vende – një ekonomi”, ka theksuar akad. Skënder Gjinushi.

Për sa i takon integrimit ekonomik e shkencor midis Shqipërisë e Kosovës,  Gjinushi tha se, si dy vende me të njëjtin popull, këto tendenca e prirje të politikës janë të sfumuara, pasi midis nesh nuk duhet të ketë asnjë merak se kush përfiton më tepër, dhe marrja e mendimit shkencor për çështjet e rëndësishme, siç do të jenë edhe konkluzionet e rekomandimet e kësaj konference, do të zbuste edhe ndonjë prirje për protagonizëm politik. /KultPlus.com

Të ngjajshme