Bajrami: Pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm

12 Prill, 2020 - 6:00 pm

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka thënë se MASHT-i është në funksion të luftës kundër COVID19.

“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi. Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur. Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia.
Andaj ju bëjmë thirrje mësoni nga shtëpia, rrini në shtëpi!

Të nderuar nxënës, mësimdhënës, prindër,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po kalojmë në një situatë të rënduar të emergjencës shëndetësore. Numri i rasteve të të prekurve me virusin corona është rritur. Sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, ne duhet ta rrisim kujdesin maksimalisht, të respektojmë masat parandaluese dhe së bashku të kontribuojmë në luftimin e pandemisë. Sa më shumë që të rrisim kujdesin për veten dhe familjet tona duke qëndruar në shtëpi, aq më shpejt do ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’i kthehemi normalitetit”.

Ministrja tutje thotë se që nga data 12 mars 2020, ne jemi detyruar t’i mbyllim shkollat për të gjitha institucionet edukative-arsimore në vendin tonë. Në këtë mënyrë ne kemi ndërprerë mësimin konvencional por assesi nuk e kemi ndërprerë procesin mësimor, sepse menjëherë kemi filluar me organizimin e mësimit në distancë.

“Organizimi i mësimit në distancë ishte një sfidë e madhe, sepse për një kohë të shkurtër duhej përgatitur program voluminoz me përmbajtje mësimore për nxënësit nga klasa 1 deri në 9, në përputhje më kurrikulat e Kosovës. Këtë kemi arritur ta bëjmë me sukses deri tani, dhe po vazhdojmë tutje përkundër sfidave që po na shkakton situata pandemisë. Kemi arritur t’ua dërgojmë në shtëpi përmbajtjet mësimore mbi 234 000 nxënësve të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Të gjithë këta fëmijë po kanë mundësi të mësojnë, të aktivizohen, të komunikojnë me mësuesit e tyre dhe kësisoj të kontribuojnë në luftimin e pandemisë.

Poashtu po ndihmojmë edhe realizimin e mësimit në distancë për mbi 77 900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, të cilët përmes platformave të ndryshme digjitale dhe me përkushtim maksimal të mësimdhënësve po arrijnë ta zhvillojnë suksesshëm mësimin në distancë”.

Gjithashtu ajo njofton se edhe universitet publike dhe ato private po zhvillojnë ligjëratat online me përfshirje shumë të madhe të mësimdhënëseve dhe studentëve

“Ky mobilizim i të gjithë neve është tregues i qartë se kur kemi vendosmëri, nuk ka asnjë sfidë që na ndalon. Prandaj ne ju themi me mburrje, se pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm.
Rrini në shtëpi dhe mësoni nga shtëpia”, përfundon ministrja

Të ngjajshme