BE zhbllokon 5.5 miliardë dollarë ndihmë për qeverinë e re të Polonisë

16 Dhjetor, 2023 - 10:00 am

Bashkimi Evropian njoftoi të premten zhbllokimin e rreth 5.5 miliardë dollarëve ndihmë për Poloninë, pjesë e një totali prej rreth 65 miliardë. Blloku evropian e bllokoi këtë ndihmë gjatë qeverisjes së mëparshme polake, mes shqetësimeve për respektimin e sundimit të ligjit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi zhbllokimin e fondeve të premten në një konferencë shtypi në Bruksel së bashku me kryeministrin polak Donald Tusk ndërsa merrnin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit Evropian.

Kryeministri Tusk i quajti fondet “një dhuratë për Krishtlindje”.

“Nuk është një dhuratë e vogël … këto janë fonde shumë të rëndësishme që do të përdoren për të forcuar pavarësinë tonë të energjisë”, tha ai, duke iu referuar nevojës së Polonisë për t’u larguar nga varësia nga karburanti që e marrin nga Rusia.

Paratë u zhbllokuan si pjesë e programit të BE-së për të eliminuar varësinë nga karburantet ruse dhe lëndët djegëse fosile në përgjithësi, si pjesë e tranzicionit të gjelbër të BE-së.

Por zhbllokimi i ndihmës që është pjesë e programit të BE-së për rikuperimin nga pandemia e COVID-19 varet nga heqja dorë nga reforma gjyqësore që Polonia e bëri nën udhëheqjen e Partisë Ligj dhe Drejtësi të krahut të djathtë, e cila mori pushtetin më 2015. Zyrtarët e BE-së thanë se ato reforma dobësuan gjyqësorin e vendit dhe nuk arriti të përmbushë standardet demokratike të bllokut.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve ‘Reuters’, zoti Tusk, qeveria e të cilit u betua të mërkurën, tha se legjislacioni për të ndryshuar reformat e mëparshme është në fuqi dhe ai ishte i bindur se mund ta përshpejtonte procesin.

Zonja Von der Leyen të premten përgëzoi veprimet që Kryeministri Tusk dhe qeveria e tij kishin ndërmarrë deri më tani, duke thënë se ajo shpresonte që çështjet të zgjidheshin shpejt.

“Për një kohë shumë të gjatë, shqetësimet rreth sundimit të ligjit na kanë penguar për të ndihmuar Poloninë të modernizojë ekonominë e saj dhe ta kthejë atë në një ekonomi të gjelber dhe dixhitale”, tha zonja von der Leyen.

Zoti Donald Tusk u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 2007 dhe u largua nga Polonia për t’u bërë president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019. Më pas u kthye në Varshavë për të udhëhequr sërish partinë e tij Platforma Qytetare dhe për të sfiduar me sukses partinë e krahut të djathtë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi në zgjedhjet e tetorit./VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme