Begaj: Sot, e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë

5 Shtator, 2025 - 9:30 am

Sot është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares trupvogël me zemër të madhe, që u bë simbol i bamirësisë, vetëmohimit dhe shërbimit ndaj të pamundurve.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u shpreh sot se e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë.

“Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve”, thekesoi Begaj në një postim në rrjetet sociale.

“Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë!”, nënvizoi Presidenti Begaj

Më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore nga papa Françesku duke njohur dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes më 1997.

Papa Françesku e shkroi emrin e Shën Terezës së Kalkutës, murgeshës shqiptare të bamirësisë, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, i cili rregullon përkujtimet dhe kremtimet e vitit liturgjik. Ati i Shenjtë mori parasysh kërkesat e dëshirat e shumë ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, që e kremtojnë shenjten më 5 shtator, dita e vdekjes së saj më 1997. Kjo mbetet edhe dita e përkujtimit liturgjik fakultativ, vendosur nga Papa.

Murgesha “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.

Ndërsa në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 5 shtatori përkon me Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e shpallur si e tillë prej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në nder të Nënë Terezës.

Misionarja shqiptare që iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve, pati një ndikimi të fuqishëm mbi miliona besimtarë në gjithë botën. E lindur më 26 gusht 1910, në Shkup, Nënë Tereza filloi misionin e saj në Kalkutë në vitin 1929. Pasi u largua nga Motrat e Loretos, në vitin 1950, themeloi Kongregatën e Misionareve të Dashurisë, e cila sot ka mbi gjashtë mijë murgesha aktive në 130 vende të botës, duke filluar nga më të varfrit dhe më të pazhvilluarit.

Në vitin 1979, murgeshës shqiptare iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe ajo kërkoi që shuma t’u dhurohej të varfërve.

Nënë Tereza vizitoi edhe Shqipërinë pas rënies së komunizmit, duke hapur shtëpitë e motrave të saj, që i shërbejnë edhe sot popullit, por sidomos i mësojnë, me shembullin e tyre, dhembshurinë e mëshirën me të cilën duhet të kujdeset për nevojtarët.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme