Billie Eilish, fituesja e madhe e shpërblimeve “Grammy 2020”

27 Janar, 2020 - 9:25 am

Këngëtarja tinejxhere, Billie Eilish, i ka fituar të gjitha shpërblimet kryesore “Grammy”, në ceremoninë e cila zuri vend mbrëmë në Los Angeles.

Ylli 18-vjeçar i muzikës që ishte nominuar në më së shumti kategori, arriti të triumfojë në katër sosh, “Albumi më i mirë i vitit” për albumin debutues të incizuar në studio “When We All Fall Asleep, Where Do We Go”, “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Incizimi më i mirë i vitit” për këngën “Bad Guy” dhe “Artistja më e mirë e re”. Këtë të fundit, në skenë ia ndau këngëtarja kosovaro-britanike, Dua Lipa, e cila vitin e kaluar kishte triumfuar në të njëjtën kategori. Para të pranishmëve në sallë, Lipa tha: “Ka aq shumë producente, artiste, kantautore dhe inxhiniere të jashtëzakonshme. Dhe nëse merreni me këtë biznes dhe jeni duke kërkuar punëtorë në këto lami, atëherë ju lutem t’i merrni në konsideratë këto gra të mahnitshme dhe tejet të talentuara, sepse të gjitha ne e meritojmë një ulëse në secilën tavolinë,” tha këngëtarja para se ta shpallte Billie Elishin fituese të çmimit “Artistja më e mirë e re”.

Eilish, e cila rrëmbeu vëmendje edhe me pamjen e saj ku dominonte ngjyra e gjelbër e ndezur, dukej tejet e emocionuar me ta pranuar shpërblimin e parë “Grammy”.

“Edhe shumë këngë të tjera e meritojnë këtë shpërblim. Shumë faleminderit, ky është çmimi im i parë “Grammy”. Asnjëherë në jetë nuk e kisha menduar se kjo gjë mund të ndodhte, ngase jam rritur duke i parë këta artist duke u nderuar në këtë ceremoni,” tha Eilish me të dal në skenë për ta pranuar çmimin “Kënga më e mirë e vitit”.

Një tjetër fituese e madhe e ceremonisë “Grammy”, ishte edhe Lizzo. Këngëtarja u shpërblye në gjithsej 3 kategori të mbrëmjes, përfshirë këtu çmimet, “Performanca më e mirë pop” për hitin e saj “Truth Hurts”, “Performanca më e mirë tradicionale R&B” për këngën “Jerome” dhe “Albumi më i mirë urban” për albumin “Cuz I Love You”.

Reperi homoseksual i cili kultivon muzikë country, Lil Nas X, i fitoi dy shpërblime “Grammy” për bashkëpunimin e tij të suksesshëm me Billy Ray Cyrus, “Old Town Road”.

Në kategorinë “Albumi më i mirë rep” sivjet triumfoi reperi, Tyler the Creator, me albumin e tij të titulluar “IGOR”. Çmimi “Bashkëpunimi më i mirë rep” iu nda artistëve DJ Khaled, Nipsey Hussle dhe John Legend, për këngën “Higher”, ndërsa “Kënga më e mirë rep” u shpall kënga e yjeve 21 Savage dhe J. Cole, “A Lot”.

Çmimi “Albumi më i mirë country” shkoi për artisten Tanya Tucker”, e cila u nderua për albumin e saj të fundit “While I’m Livin”.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Grammy” u hap me një dedikim kushtuar yllit tashmë të ndjerë të basketbollit, Kobe Bryant, i cili vdiq në një aksident me helikopter në mëngjesin e së dielës.//KultPlus.com

Të ngjajshme