27 Gusht, 2025 - 10:35 pm
Kosova do ta nisë javën e ardhshme aventurën e saj në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke u përballur fillimisht me Zvicrën në transfertë më 5 shtator, ndërsa më 8 shtator do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanët” bëjnë pjesë në Grupin B, ku përveç Zvicrës dhe Suedisë, gjendet edhe Sllovenia, me të cilën përfaqësuesja jonë do të luajë në tetor.
Trajneri i Sllovenisë, Matjaz Kek, në një konferencë për shtyp, foli edhe për Kosovën, duke theksuar rritjen e saj dhe mundësitë që ky grup ofron për surpriza:
“Nuk shoh asnjë ekip në grup që nuk e mendon kualifikimin. Kosova është në rritje. Suedia ka emra të mëdhenj, sidomos në sulm, ndërsa Zvicra ka gjithmonë mënyrën e saj të lojës dhe di të befasojë. Është grup që ta jep mundësinë të bësh diçka, nëse shfaq më të mirën”, tha Kek.
Kosova dhe Sllovenia do të përballen më 10 tetor në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit është paraparë më 15 nëntor në Lubjanë.
Favoritja kryesore e grupit mbetet Zvicra, por në garë për kualifikim janë edhe Suedia, Sllovenia dhe Kosova. Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026 që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa ekipi i vendit të dytë do të luajë në fazën “play-off”./KultPlus.com