29 Nëntor, 2024 - 7:00 pm
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe UET Press promovuan mbrëmjen e së enjtes librin “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”.
Ky botim erdhi për lexuesin në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut nga forcat nazifashiste, nën kujdesin e prof. Nevila Nika, drejtuese e Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe historianëve Florian Çullhaj, Marenglen Kasmi, Çelo Hoxha dhe Hasan Bello.
Ai hedh dritë mbi fakte të qëmtuara deri në thellësi, për t’u lënë gjeneratave të ardhshme një dokument që flet mbi luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.
Në aktivitetin e organizuar në COD, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përshëndeti aktivitetin, duke kujtuar se fakte të tilla dhe kërkimet historike i japin historisë një përmasë përtej atyre fakteve që kemi trashëguar nga një tjetër regjim.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama gjatë promovimit të librit “Të gjithë të rënët e Luftës II Botërore”, studim i Akademisë së Studimeve Shqiptare
Më vjen shumë mirë që sot është mundësia të diskutohet mbi një çështje të hapur. Është çështje e hapur sepse pas Luftës së Dytë Botërore u vendos një regjim diktatorial, i cili e shkroi historinë duke i mëshuar me të gjithë brutalitetin e vet shprehjes “historinë e shkruajnë fitimtarët”.
Pas rënies së regjimit diktatorial, pavarësisht se fitimtarët e radhës nuk e kishin brutalitetin e atij regjimi, por ishin vijimësi e atij regjimi në aspektin e mendësisë, përsëri kjo çështje mbeti një çëshjte që më shumë sesa historianëve iu la të gjithë atyre që me mënyra dhe rrugë të ndryshme mund të bëjnë vetëm dëm, kur ndërhyjnë në fushën e shkrimit të historisë.
Kanë kaluar shumë vite, por përsëri besoj se nuk janë mjaftueshëm për distancën dhe qetësinë e nevojshme për ta shkruar historinë e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse kanë kaluar vite dhe të gjitha dokumentet e burimet janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzione relativisht objektive. Them relativisht, pasi unë besoj se në të gjitha rastet, edhe për historianët vetë, objektiviteti absolut është i pamundur. Historia, edhe kur shkruhet mbetet me lirinë e plotë, nga çdo lloj zgjedhje e jashtme, një produkt relativ.
Më vjen mirë që ende ka forca dhe individë që janë të interesuar që të kontribuuojnë për një shkrim relativisht objektiv të Luftës së Dytë Botërore. Edhe Akademia e Shkencave është e interesuar në shkrimin e historisë së shqiptarëve, por ende mesa unë jam informuar, nuk ka hyrë në këtë fazë të historisë që është faza ku fillon vështirësia e distancimit të emocioneve dhe prirjeve individuale.
Gjithashtu, kam një farë besimi, se çfarëdo që të prodhohet sot e në vijim, do të jetë shumë më pak e ngarkuar sesa pavionët e Muzeut Kombëtar, të bëra me konsulencën e historianëve para dhe pas rënies së diktaturës, të cilat për hir të së vërtetës e tregonin si në një pasqyrë se sa e ngjashme ishte para dhe pas diktaturës qasja e historisë, duke e tërhequr maksimalisht nga vetja litarin, pra nga interesat e pushtetit politik të radhës.
Sa më takon mua dhe qeverisë shqiptare, sot e një dekadë nuk ka asnjë interes për të ndërhyrë në punët e historianëve dhe asnjëlloj kompleksi për të ndërhyrë në të gjitha të vërtetat e historisë. Duke falenderuar dhe duke shprehur respekt e mirënjohje për të gjithë juve dhe të gjithë ata që përpiqen në këtë lëmë, më lejoni që të kërkoj ndihmë nga Zoti që historianët e rinj, të kenë sadopak nga ndërgjegjia dhe pasioni juaj, ashtu sikundër duke ua qarë hallin atyre të kenë sadopak fakte historike të qarta kur të vijë radha për të shkruar historinë e këtyre kohëve, kur qeveritë dhe shtetet komunikojnë më shumë me SMS sesa me shkresa.
Kjo do të jetë një sfidë e madhe për historianët, sepse të gjitha letrat e dërguara, të gjitha korrespondencat e prodhuara nga shkëmbimet e letrave kanë qenë një nga ingredientët më të rëndësishëm të kuzhinës së historisë. Këto nuk janë më në atë kuzhinë, ose janë në sasira që mund të krijojnë më shumë keqkuptime sesa të japin informacionin e plotë, pasi pjesa më e madhe e korrespondencave janë në platformë telefonash.
Ngushëllimi i madh është që kur të vijë koha për të shkruar historinë asnjëri nga ne nuk do të jetë gjallë./KultPlus.com