‘Djalli vishet me Prada 2’, pse ‘jemi çmendur’ pas një filmi që s’ka dalë ende

3 Gusht, 2025 - 8:00 pm

“Djalli vishet me Prada 2” nuk ka dalë ende, madje as produksioni s’ka përfunduar, por tashmë është hit.  Skenat e xhirimeve në rrugët e Manhatanit tregojnë sesi policët përpiqen të mbajnë turmën pas  barrikadave. Është reklamë falas që shpërndahet në rrjetet sociale dhe gjendet nën velin e bekimit të  filmit të parë që doli në vitin 2006 në një premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe fitoi dy çmime Oskar në vitin pasardhës. Filmi i dytë do të dalë 20 vite më vonë, më 1 maj 2026.

Sigurisht do të jetë një ngjarje e madhe, është tashmë. Rikthehen yjet, Meryl  Streep, Stanley Tucci, Anne Hathaway dhe Emily Blunt. Padurimi është kaq i madh sa edhe filmi i parë u ngjit menjëherë në krye të top dhjetëshes së Disney Plus. Më 30 qershor, kur doli një video e shkurtër e këpucës së famshme të kuqe me një sfurk djalli në takë, mijëra njerëz e ripanë filmin (madje disa e dinë përmendësh).

Këtë herë janë dy këpucë që rrotullohen ndërsa në sfond dëgjohet: “Gabbana, me një ‘b’ apo dy?”,  “Refuzoj të ndihem fajtore. Kam veshur Valentino” dhe më pas “Të gjithë duan të jenë si ne”, duke iu referuar revistës së filmit, “Runway” që është një analogji për “Vogue America” ndërsa kryereedaktorja mizore Miranda Priestly mishëron Anna Wintour: një grua prej çeliku, me flokët e shkurtër të    pangatërrueshëm dhe syzet e errëta.

Vetëm ajo video 22 sekondëshe ka mjaftuar që të shkaktojë një çmenduri të vërtetë: shkrepje paparacësh nga sheshxhirimi, postera të rremë, video me Inteligjencë Artificiale të Meryl Streep me veshje Chanel që s’do të jenë në film. Në të vërtteë, ajo shfaqet me një kostum të kaltër të lehtë dhe një çantë nën krahë. Ose një veshje me ngjyrë të lehtë pjepri, lejla dhe kafe që tingëllon çuditshëm, por çdo grua do të donte të dukej si ajo në moshën 76-vjeçare.

Por pse njerëzit e adhurojnë “Djalli vishet me Prada?” Ndoshta kasti, të cilit tanimë i bashkohet edhe Sir Kenneth Branagh. Ndoshta sepse filmi nuk është vetëm për modën, por edhe për pushtetin. Historia zhvillohet në redaksinë e një reviste të pushtetshme dhe me ndikim, me një kryeredaktore tirane, të padurueshme, brilante që flet me zë të lehtë por thotë gjithnjë fjalën e fundit duke i tmerruar të gjithë. 

Është për fuqinë e një reviste, dinamika me pushtetet e tjera dhe problemet e  brendshme të pushtetit  brenda çdo ambienti pune. Mizoria, kurthet, miqtë e gënjeshtërt, pesha e një pune që s’është vetëm e tillë. Shumë njerëz gjetën veten dhe jo vetëm adhuruesit e modës apo ata që punojnë në këtë industri. 20 vite më vonë, gjithçka ka ndryshuar.

Vitet e moshës së protagonisteve janë shtuar dhe bota ka ndryshuar edhe më shumë. Sistemi i modës nuk është më i dikurshmi. Shtëpitë e modës kanë ndryshuar udhëheqësit. Tarifat kanë hyrë në lojë. Komunikimi ka ndryshuar kaq shpejt dhe komandohet nga rrjetet sociale saqë një foto e thjeshtë e shpërndarë në Facebook a Instagram mund të tejkalojë një fushatë të tërë marketingu.

Vetë Wintour nuk është më kryeredaktorja e Vogue America. Ajo mbetet shefe globale e përmbajtes në Condé Nast ndaj është ende perandoresha e kësaj perandorie. Në fund, gjërat nuk ndryshojnë kurrë vërtet, të paktën jo në lojën e pushtetit. Sigurisht, kjo shkon përtej modës./KultPlus.com

Të ngjajshme