DPA përkujton atdhetarin Gjerasim Qiriazi

18 Tetor, 2023 - 10:30 am

Më 18 tetor të vitit 1858, lindi në Manastir atdhetari Gjerasim Qiriazi.

Rilindasi dhe shkrimtari Qiriazi, ishte themeluesi i Kishës Ungjillore të Korçës dhe i shoqërisë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”. Së bashku me të motrën, Sevastinë, përgatiti në vitin 1892 projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe të Shkollës të së Dielës në Korçë. Në nëntor të po atij viti, botoi numrin e parë të gazetës së shoqërisë që themeloi “Letra e Vëllazërisë”.

Shkroi në gjininë e vjershës dhe të këngës. Për shkak të angazhimit të tij, më 17 janar 1893, u bë objektiv i një atentati të pasuksesshëm. Ndërroi jetë më 2 janar të viti 1894 në moshën 35 vjeçare. Në vitin 1987, Qiriazit iu dha titulli “Mësues i Popullit”, ndërsa në vitin 1992, iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton “formulën” që udhëhoqi Qiriazin në veprimtarinë e tij kushtuar fesë dhe atdheut: “Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme