E-shkollori lansohet në Prishtinë, vlerësimi i nxënësve në mënyrë digjitale

4 Maj, 2020 - 8:00 pm

E hëna ishte dita e fundit kur të gjithë nxënësit e klasave 6-9 të Komunës së Prishtinës dhe prindërit e tyre është dashur të kyçen në platformën online e-shkollori. Me këtë platformë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë synon ta realizojë vlerësimin e nxënësve në distancë, të ofrojë testim online, por edhe të mundësojë komunikimin digjital mësimdhënës-prindër.

E nga shtatori, Komuna planifikon që e-shkollori të jetë i gatshëm edhe për klasat 1-5.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se brenda një muaji i kanë trajnuar të gjithë mësimdhënësit për përdorimin e kësaj platforme.

Për prindërit, ndërkaq, ajo ka shtuar se platforma nuk do të jetë aspak ngarkesë, por vetëm do t’u mundësojë të kenë pasqyrë të saktë për angazhimet dhe suksesin e fëmijëve të tyre.

Por, disa prindër prapa kamerave janë ankuar se platforma është e komplikuar dhe nuk është koha e duhur të fillohet me të. Disa të tjerë madje e konsiderojnë shumë të nevojshme dhe presin që secili prind ta kuptojë rëndësinë e digjitalizimit të shkollave.

Nga ana tjetër, Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard” vlerëson se prezantimi i platformave të mësimit në fund të vitit shkollor shkaktojnë hamendësim te prindërit dhe nxënësit dhe nuk ndikojnë pozitivisht.

Pas pezullimit të mësimit për shkak të pandemisë, nga 23 marsi procesi mësimor po realizohet në distancë. Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme